Rama, Basha dhe kandidatët e Tiranës votuan, ja mesazhet e tyre

Kush nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet, tha Rama, duke i konsideruar këto zgjedhje historike për reformën e re territoriale.

“I bëj thirrje të gjithëve që të dalin të votojnë, duke votuar sot marrin pjesë në një proces historik të vulosjes së një reforme historike për Shqipërinë, siç është reforma administrativo- territoriale. Pavarësisht se për kë votojnë, të gjithë ata që votojnë janë qytetarë të lirë dhe që meritojnë respekt. Kush nuk voton, nuk ka të drejtë ankohet”, deklaroi Rama.

Veliaj fton qytetarët për të shprehur atë që e mendojnë

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane Erjon Veliaj, ka votuar sot në zgjedhjet që po zhvillohen. Ai tha se ky është një akt qytetarie ku dikush vullnetarizohet dhe shërben në këtë funksion.

Velijaj ka përshëndetur ata që votojnë për herë të parë pasi kjo sipas tij është një festë e demokracisë për gjithë ata që kanë mbushur 18 vjeç dhe u uroi mirëseardhje atyre që i quan aksionerë të qytetit të përbashkët.

“Është e rëndësishme që të votojmë, ne ankohemi ne shqetësohemi. Por, në fund fare ka rëndësi mënyra se si e shprehim ato që mendojmë”, tha Veliaj.

Basha: Merrni pjesë në votime, rëndësi për të ardhmen

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë i pari politikan i lartë që ka votuar.

Duke folur për mediat pas takimit, kreu i demokratëve tha se vota e tij dihet për kë shkon.

“Dua t’ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë në këtë ditë të rëndësishme të marrin pjesë masivisht në votime. Dua t’ju bëj thirrje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që të ndajnë pak minuta dhe të hedhin votën e tyre. Sepse vota juaj të dashur qytetarë është votë për sovranitëtit tuaj. Jepni votën për të ardhmen tuaj. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha Basha.

Kosova: Të vëmë demokracinë në punë përmes votimit masiv

Këto nuk janë zgjedhje politike, por për menaxhimin e gjithë qytetit,- tha kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, pas votimit. Kosova ftoi qytetarët të respektojnë standardet të ushtrojnë pushtetin e tyre dhe të vënë demokracinë në punë përmes votimit masiv.

Meta: Zgjedhje historike, nesër Shqipëria me një organizim tjetër administrativ, më europian

Në fjalën e tij për mediat pas hedhjes së votës, Meta i cilësoi këto zgjedhje si historike për vendin pasi nga nesër do kemi një Shqipëri me një organizim tjetër administrativ, më evropian.

“Ishte kënaqësi të merrja pjesë në këtë festë të demokracisë, një ditë historike. Do t’i ftoja të gjithë ata që ende nuk kanë vendosur të mos humbasin mundësinë për të votuar pasi këto nuk janë si çdo palë zgjedhje. Nga nesër do kemi një Shqipëri me një organizim tjetër administrativ. Nesër Shqipëria do të jetë më evropiane. Çdo kush duhet të japë vullnetin e tij. Për të pavendosurit, do t’u mbetet merak nëse nuk votojnë sot. Kush nuk voton, nuk ka shumë të drejtë për t’u ankuar dhe kërkuar llogari”, tha Meta.

Nishani: Zgjedhjet përkojnë me 25 vjetorin e rënies së diktaturës, fituesi ishte i përcaktuar, sot kemi liri reale

Presidenti Bujar Nishani dhe bashkëshortja e tij Odeta, kanë votuar për kandidatët e Bashkisë së Tiranës.

Pasi janë larguar nga kutitë e votimit, Presidenti Nishani ka ndaluar për të dhënë një deklaratë për mediat, në të cilën ka theksuar se këto zgjedhje përkojnë me një ditë të rëndësishme, pasi përkojnë me 25 vjetorin e rënies së sistemit të komunizmit.

“Së pari dëshiroj një proces të mbarë, të qetë dhe të drejtë, tek i cili shpresojmë dhe besojmë, së dyti dua të theksoi faktin se këto zgjedhje përkojnë me një ditë shumë të rëndësishme, në 25 vite të rënies së diktaturës. Dikur shqiptarët votonin për atë që ishte përcaktuar, ndërsa sot kemi një liri reale, prandaj ta shfrytëzojmë në mënyrë më të drejtë”, është shprehur Nishani.
 
Berisha: Zgjedhjet po zhvillohen nën diktatin e mafies

Ish-kryeministri Sali Berisha ka votuar paraditen e sotme në qendrën e votimit të ngritur në liceun artistik “Jordan Misja”, në Rrugën e Elbasanit.  Në përfundim të votimit Berisha përshëndeti qytetarët dhe iu drejtua mediave, para të cilave u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë pasivisht kundër asaj që ai e quajti “krimi qeveritar”.

“Këto zgjedhje po zhvillohen në shenjën e mafies dhe krimit nga ana e maxhorancës. Kësaj here ndodhi diçka e paimagjinueshme, transparencës së miqve tanë ndërkombëtarë ju kundërvu krimi qeveritar. Këtë herë zgjedhjet janë të plagosura sepse bashkëqytetarët tanë në disa nga bashkitë e vendit janë të thirrur të votojnë për kandidatë me të shkuar drogën, prostitucionin. Sot është fjala e qytetarëve dhe ata kanë në dorë të dëgjojnë fjalën e miqve tanë ndërkombëtarë të cilët në interes të jetës së qytetarëve shqiptarë kërkuan largimin me nga lista me emra konkrete të personave të dënuar për drogë e prostitucion shumica e lidhur kokë e këmbë me krimin”, tha Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button