“Agimi i Artë” në qeli, Rizai: Do t’u veshim fustane

“Ua kemi bërë gati fustanet dhe po presim t’ua veshim”. Kjo ka qenë deklarata nga burgu e Alket Rizait, shqiptarit të dënuar me burg të përjetshëm për disa vrasje në shtetin grek, lidhur me arrestimet e fundit që janë bërë disa ditë më parë në shtetin fqinj.

Duke marrë shkas nga zërat e fundit, se disa prej anëtarëve të “Agimit të Artë” janë vendosur në të njëjtën qeli apo në qelinë ngjitur me Rizain,

“Gazeta Shqiptare” ka mundur që të kontaktojë me shqiptarin, i cili e ka mohuar një fakt të tillë, por duke mos e fshehur urrejtjen për neonazistët e “Agimit të Artë”. “Ty të lumtë goja që thua se ata mund të jenë në qelinë time apo ngjitur me qelinë time, por kjo nuk është e vërtetë. Por nëse vijnë, ne i mirëpresim (qesh).

Do i veshim me fustan, do i veshim. I kemi bërë gati fustanet dhe litarin. Litari pse na duhet? Po, na duhet, sepse pasi ne t’i veshim me fustan, ata do duan të varen në litar, ose nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do i varim ne”, – pohon nga burgu grek, Alket Rizai. Lidhur me dënimin e tij, Rizai pohon se “deri tani nuk ka asgjë të re, por unë pres se çfarë do ndodhë, sepse çfarë sjell minuti, nuk sjell viti, themi ne”, – ka përfunduar bisedën e tij, shqiptari i dënuar në Greqi, Alket Rizai.

Arrestimet

Pesë ditë më parë, policia greke ndërmori një operacion masiv, duke prangosur disa prej drejtuesve të partisë neonaziste “Agimi i Artë”.

Duke iu referuar mediave greke, u njoftua se urdhra arresti janë lëshuar për 32 drejtues të “Agimit të Artë”, mes të cilëve deputetët Kristo Papas, Janis Lagos, Nikos Mihos dhe Ilias Panajotaros, i cili u vetëdorëzua në polici. Forcat e policisë kanë kryer më shumë se dhjetë arrestime të tjera, mes të cilëve ndodhen edhe drejtues të organizatës lokale në Nikea, që dyshohet se janë implikuar në vrasjen e këngëtarit Pavlos Fyssas.

Fushata e urdhër-arrestimeve në radhët e “Agimit të Artë” në Greqi ka prekur edhe shqiptaren Nikol Beneki, e cila drejtonte organizatën e grave në këtë parti. Ndërkohë, në pranga është vënë edhe një 17-vjeçar, i cili rekrutonte anëtarët e rinj për partinë neonaziste.

Ky zhvillim i ri ndodh në momentin më kulmor të një hetimi ligjor, që ka filluar në Greqi me kërkesë të qeverisë, për akte të mundshme kriminale nga kjo parti./ Gazeta Shqiptare

Lajme të ngjashme

Back to top button