Hamilton nuk lejoi befasi

Britaniku i Mercedesit, Lewis Hamilton, ka arritur të shënojë kohën më të shpejtë në provat zyrtare të kësaj të shtune, të vlefshme për Çmimin e Madh të Austrisë, duke koleksionuar kështu “pole position”-in e 45 në karrierën e tij.

Edhe pse pati një problem në fund të periudhës së tretë të provave të lira, duke dalë edhe jashtë piste për të mos kompletuar xhiron e fundit deri në vijën e “finish”-it, ai arriti të sigurojë vendin e parë të nisjes për garën e nesërme, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, gjermani Nico Rosberg, teksa edhe ky i fundit doli jashtë piste në fund.

Nga vendi i tretë do të niset gjermani 4 herë kampion bote, Sebastian Vettel, i cili nuk mundi të shfrytëzonte daljen jashtë piste të dy pilotëve të Mercedesit për të rikuperuar disi.

Në vendet e tjera janë renditur Massa, Hulkenberg, Bottas, Verstappen, Kvyat, Nasr dhe Grosjean. Gara për Çmimin e Madh të Austrisë do të zhvillohet ditën e diel më ora 14:00. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button