23 qershori dita ndërkombëtare e shërbimit civil

Sipas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 23 qershori është data e shërbyesve civil. Për shënimin e kësaj date organizohen shumë tryeza dhe konferenca me karakter ndërkombëtar, ku shtjellohen tema rreth administratave nacionale, reformave administrative dhe zhvillimit të shteteve në përgjithësi. A thua cila është pasqyra e shërbimit civil në rrafshin kombëtar, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

 23 qershori është data e shërbyesve civil- administratës, e cila ka filluar të shënohet që nga vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (57/277) të datës 20 dhjetor 2002. Për hirë të kësaj date, vendet anëtare të OKB-së e shënojnë duke organizuar tribuna dhe konferenca shkencore, ku debatohet mbi rolin dhe funksionin e administratës në përgjithësi dhe shërbyesve civil në veçanti, realizimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve gjatë marrëdhënieve me organet e administratës dhe për proceset e ndryshme të zhvillimit të shteteve në përgjithësi.

Është fakt se nëpunësit administrativ kanë punë dhe obligime me përgjegjësi të lartë, të cilët në mënyrë të palodhshme janë në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të shtetit. Padyshim se globalizimi dhe zhvillimi i hovshëm i teknologjisë, bënë presion të vazhdueshëm mbi administratorët që të jenë sa më efikas dhe në hap me kohën moderne.

Ky shkrim nuk mëton që të shpjegojë se cili është apo duhet të jetë roli dhe funksioni, madje as të shtrojë definicione mbi sistemet krahasuese të shërbimeve administrative shtetërore.

Ky shkrim mëton që opinionit t’i paraqesë një pasqyrë të shërbimeve administrative në rrafshin kombëtarë, në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.

Se Maqedonia ka një armatë administratorësh në institucionet e sistemit, e dëshmojnë edhe raportet e shumta që nga institucionet e vendit por edhe ato ndërkombëtare. Se duhet ta reduktojë të paktën për 70-80 mij administratorë, këtij detyrimi ndërkombëtar nuk mund t’i shmanget. Të kuptohemi, problematika e administratës publike nuk duhet të njohë ndasi etnike, politike apo fetare, megjithatë, ky shkrim vë në fokusin e vet administratorët shqiptarë, të cilët kohëve të fundit nuk mungojnë në numër (në aspektin sasior), por janë të paktë për nga aspekti cilësor. Shumica prej tyre nuk janë të angazhuar sipas përgatitjeve përkatëse akademike. Në kulturë punojnë ata me bujqësi apo xehtari, në polici punojnë albanologë, në ekonomi punojnë pedagogë, në arsim punojnë policë, pra, një përzierje e dhunshme e paimagjinueshme për trurin e shëndoshë i cili ka në proeksion administratë të shkurtë dhe efikase! Veç kësaj, avansimi i administratorëve shqiptarë, si në nivelin horizontal po ashtu edhe në atë vertikal, është sfidë që kërkon mund dhe përpjekje të mëdha. Kuptohet se këty rol kyç duhet të luaj Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili duhet të ndjekë me vëmendje këtë problematikë dhe për të njëjtën të hartoj një strategji të veçantë kombëtare.

Administrata dhe shërbyesit civil në shtetin më të ri të Europës, në Kosovë, po ballafaqohet ende me shtetndërtimin dhe krijimin e institucioneve stabile dhe demokratike. Mirëpo për dallim nga Maqedonia dhe Shqipëria, autoritetet kosovare po ndihmohen në masë të madhe nga faktori ndërkombëtar, ndërsa po pengohet nga brenda, nga klasa politike.

Sa i takon organizimit dhe funksionimit të organeve administrative në Shqipëri, atje situata është paksa më ndryshe, për arsye se Shqipëria tani më është anëtare e NATO-s, dhe ka filluar me jetësimin e proceseve të rëndësishme me Bashkimin Europian që pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim asociimit, liberalizimit të vizave dhe aplikimit për statusin e vendit kandidat. Reforma administrative territoriale dhe reformimi i shërbimeve administrative janë një nga sfidat që në kontinuitet i përcjellin institucionet e BE-së.

Sipas ish-presidentit të SHBA, Woodrow Wilson, administrata është pjesa më e dukshme e qeverisë, pra është vet qeveria në veprim. Andaj, efektshmëria e shtetit varet nga qeveria, ndërsa efektshmëria e qeverisë varet pikërishtë nga administrata. Sipas këtyre rrethanave cilësia e shërbimeve administrative është një tregues për efektshmërinë dhe sukseset e një shteti.

Vlenë të citohet edhe profesori, Akedemik Esat Stavileci, i cili thotë se: “Administrata pa pushtet nuk mund të veprojë, por edhe ushtrimi i pakufizueshëm i pushtetit prej saj nuk është në përputhje me vlerat e demokracisë”.

Nga ky citat mund të konkludohet se, administrata, në vendet e lartpërmendura, fatkeqësisht po keqpërdoret nga pushtetarët, të cilët, nëpërmjet partizimit dhe pushtetit, po mundohen me çdo kusht të kenë nën kontroll çdo njësi, sektor dhe departament të institucioneve publike.

Është më se e rëndësishme që në kontinuitet të vazhdohet me reforma dhe të minimizohet ndikimi i politikës ndaj administratorëve. Kjo periudhë e zhvillimit teknologjik të shrytëzohet në modernizimin e shërbimeve për të qenë sa më afër qytetarëve. Veprimi i administratës nga pozita autoritative-burokratike që ia mundëson pushteti është jashtëzakonisht i dëmshëm për qytetarët dhe demokracinë e vendit, andaj administrata dhe pushteti duhet ta kuptojnë se roli i tyre në shoqëri është ofrimi i shërbimeve dhe servis i qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.

Lajme të ngjashme

Back to top button