Rreth 60 milion njerëz jetojnë si refugjatë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ngre alarmin. Rreth 60 milionë njerëz nga e gjithë bota kanë lënë shtëpitë dhe trojet e tyre duke u zhvendosur në vende të tjera për shkak të luftërave, dhunës dhe përndjekjeve në vendet e tyre.

OKB-ja ka publikuar së fundi raportin për vitin 2014 për emigrimin e popujve në mbarë globin, sipas së cilit 59.5 milionë njerëz kanë braktisur vendet e tyre, një çështje kjo mjaft e ndjeshme sidomos në Bashkimin Europian.

Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së, Antonio Gutierres, ky ishte një vit i paprecedent për sa i përket refugjatëve në mbarë botën.

“Bota ka humbur një pjesë të mirë të aftësisë për të parandaluar konfliktet dhe për t’i zgjidhur ato në kohë, dhe rezultati është kjo gjendje dramatike që po paraqesim sot. Jo vetëm për numrin e lartë, por për numrin gjithnjë e më të ulët të zgjidhjeve për ta” thotë ai.

Kjo është shifra më e lartë e paraqitur ndonjëherë nga Agjencia e Refugjatëve në OKB, që prej themelimit të saj në vitin 1950. Konfliktet në Siri dhe Afrikë kanë ndihmuar në rritjen drastike të numrit të personave që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre.

Në raport, Siria mban vendin e parë për sa i përket personave të larguar, me 3,8 milionë, ndërsa Turqia vendin e parë për pritjen e refugjatëve, pasi 1,59 milionë vetë janë futur në territorin e saj, pjesa më e madhe nga Siria.

Me mbi 274 000 kërkesa për azil, Rusia mban vendin e parë në këtë kategori, ku vetëm nga konflikti në Ukrainë ka pasur mbi 200 000 kërkesa.

Në vend të dytë renditet Gjermania, si vendi ku janë regjistruar mbi 173 000 kërkesa për azil, ku kanë kontribuar pa dyshim edhe azilkërkuesit shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.

Lajme të ngjashme

Back to top button