Rama: I befasuar nga pjesëmarrja në fushatë, reformat kanë ngjallur shpresë

Edi Rama është ndjerë i befasuar nga pjesëmarrja e njerëzve në këtë fushatë zgjedhore dhe thotë se ka një pozitivitet, që as vetë nuk e priste në nisje të fushatës.

“Jam befasuar nga pjesëmarrja shumë e madhe e njerëzve në takime, në dëgjesa. Ka një frymë mbështetëse, besimi, pritshmërie të lartë, ka një pozititivitet që e pranoj që nuk e kam pritur në fillim as vetë”, tha Rama.

Por përtej kësaj, mazhoranca e drejtuar prej tij ka ndërmarrë edhe një sërë reformash e masash, që nuk cilësohen si popullore. Bëhet fjalë për aksionet kundër ndërtimeve paleje, për aksionet kundër vjedhjes së energjisë dhe shlyerjes së detyrimeve të prapambetura në këtë sektor, që nuk janë ndalur as në ditët e fushatës.

“Kam besuar që në fillim, kam qenë shumë në minorancë dhe i vetëm në fillim, kur kam mbrojtur bindjen time që platforma nuk do të largojë njerëzit sepse njerëzit kanë një sens shumë të përpunuar të gjësë së duhur dhe reformat do të kishin mbështetje dhe pak nga pak, mesa duket kanë nisur të binden edhe shumica, dhe kjo fushatë e konfirmon këtë që njerëzit vazhdojnë të kenë një pritshmëri shumë të lartë ndaj nesh, këtë e konfirmojnë edhe anketimet që ne kemi. Reformat kanë krijuar shpresë. Ka edhe shumë për të bërë, sakrifica që duhet të bëjmë së bashku”, deklaroi ai.

Rama iu përgjigj akuzave të disa mediave dhe të opozitës se programi “Rilindja Urbane” janë investime elektorale.

“Ne nuk kemi shpikur një formë të ndërmjetme ose indirekte për të bërë fushatë me fondet. Kemi ristrukturuar një fond që ka qenë aty, fond i grantit të kushtëzuar për njësitë vendore. Ne e kemi ristrukturuar duke e kthyer në Fond të Zhvillimit të Rajoneve. Nuk kemi marrë para nga pjesë të tjera për të bërë këtë, thjeshtë e kemi riorganizuar”, shtoi Rama.

Për sa i përket ekonomisë nëse ajo është aty ku duhet, zoti Rama tha: “E rëndësishme është që ekonomia ka dhënë shenja pozitive të rritjes dhe kjo është parë në disa sektorë. Në 18 muaj ne kemi dhënë një provë të sigurt që hemorragjia në të gjithë sektorët është ndalur”.

Ndërkohë për ikjen masive të shqiptarëve nga vendi, kryeministri tha se kjo ka ardhur për disa arsye, të cilat nuk janë të lidhura me qeverisjen gjatë kësaj periudhe.

“Ka pasur rregullisht 60 mijë shqiptarë që janë larguar çdo vit nga Shqipëria dhe kjo ikje nuk ka filluar tani. Ne e gjetëm Shqipërinë me 1 milion të papunë dhe njerëzit ikin dhe do të vazhdojnë të ikin. E njëjta gjë ndodh edhe në vendet e integruara në Bashkimin Europian. E rëndësishme për ne është të shkojmë më tutje në drejtimin e duhur”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Back to top button