Amerika “spastron” shërbimin sekret të Serbisë

Dy anëtarë të Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA), Radivoje Miçiq dhe Dushko Bobiq, që të dy këta të linjës proruse, janë larguar nga pozita e këshilltarit të shefit të Policisë sekrete serbe, shkruan Blic.
Largimi i tyre ndodhi pak para vizitës së drejtorit të agjencisë Aleksandar Gjorgjeviq, i cili qëndroi për dhjetë ditë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, detajet e vizitës nuk janë të njohura për publikun, transmeton Telegrafi.

Burimi i gazetës beogradase thotë se largimi i dy oficerëve të BIA-s erdhi pas kërkesës së Washingtonit zyrtar, i cili u ka kumtuar shtetit serb se në shërbimet e Ushtrisë dhe sigurisë gjenden persona dyshuar të përfshirë në krime lufte, ose që kanë marrëdhënie të ngushta me Moskën.

“Njerëz të tillë, sipas rregullave, janë me orientime proruse dhe ky është kuadër nga koha e Sllobodan Millosheviqit”, thotë burimi.

Miçiq ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Frenki Simatoviqit (njeriu i dytë në Sigurimi Shtetëror të Serbisë) i cili së bashku me Jovica Stanishiqin (ish-ministër i Punëve të Brendshme) janë akuzuar nga Tribunali i Hagës Hagë.

“Miçiq ka punuar në administratën e inteligjencës, ndërsa ishte edhe dëshmitar i mbrojtjes së Simatoviqit në Hagë. Ai ishte dëshmitari fundit i cili foli në emër të shefit të tij”, thotë burimi.

Miçiq dhe Bobiq u pensionuan gjatë kohës së qeverisjes së Partisë Demokratike të Boris Tadiqit, por më pas iu afruan partisë SNS-it të Tomisllav Nikoliqit. Në BIA ata i ktheu ish-drejtori Nebojsha Rodiq, tani ambasador në Azerbajxhan, transmeton Telegrafi.

Burimi me të cilën “Blic” ka biseduar thotë se largimi i Miçiqit ka ndodhur me arsyetimin e modernizimit të BIA-s. Ndërkaq, BIA ka thënë se “kjo dyshe është pensionuar në përputhje me ligjin”.

Vlen të theksohet se në “listën amerikane” si persona të padëshiruar janë edhe shefi i Shtabit të Ushtrisë, Ljubisha Dikoviq, dhe gjenerali i pensionuar dhe deputeti i SNS-it, Momir Stojanoviq.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka akuzuar dy herë Dikoviqin në lidhje për krimet e kryera në Kosovë, ndërsa Stojanoviq është akuzuar për krimet e kryera në fshatin Mejë të Gjakovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button