Nga e hëna kush do të transportojë emigrantë, duhet ta bëjë falas

Që nga dita kur në Gazetën Zyrtare do të shpallen ndryshimet në Ligjin për Azil, çdo qytetar që në rrugë do të takojë emigrantë, do të mund t’i transportojë pa ndonjë problem. Shpallja besohet të bëhet më së voni deri në ditën e hënë. Çdo qytetar që ka dëshirë të ndihmojë emigrantët, do të mund të bëjë këtë, por thekson se gjatë kësaj nuk guxon të marrë para nga emigrantët, transmeton Shenja.

“Tanimë çdokush mund të transportojë emigrantët, por nëse dikush merr para në kompensim për shërbimin që bën, ndërsa nuk posedon licencën e duhur për atë shërbim, do të gjobitet për mosposedim të licencës. Përndryshe, çdokush që ka mundësi dhe vullnet që të bartë emigrantët falas, nuk do të ketë asnjë pengesë ligjore” thotë zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski.

Deri më tani, në bazë ligjit, ishte e ndaluar që të bëhet transportimi i emigrantëve. Me ndryshimet e reja të Kodit Penal, pasi që të evidentohen nga shërbimet e policisë kufitare, emigrantët në afat prej 72 orëve duhet të kalojnë 200 kilometrat prej vendkalimit kufitar “Bogorodica” deri te vendkalimi “Tabanovc” me autobusë, taksi, apo me ndonjë transport tjetër.

Lajme të ngjashme

Back to top button