Kumanova, Tetova dhe Çairi në majën e listës me më shumë lindje

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës ato që bëjnë të ditur se vendbanimet e dominuara nga shqiptarët vazhdojnë të kenë një përqindje më të madhe në numrin e përgjithshëm të lindjeve, krahasuar me komunat që dominohen nga banorët e përkatësisë etnike maqedonase.

Sipas të dhënave zyrtare lidhur me lindjet e vitit të kaluar, numri i foshnjave krahasuar me një vit më parë, ka shënuar një rritje prej 2 për qind, që do të thotë se vitin e kaluar janë lindur 458 bebe më shumë. Analiza mbi natalitetin zbardh se vitin e kaluar, në të gjithë vendin, çdo ditë mesatarisht janë lindur mbi 65 foshnja.

“Vitin e kaluar janë lindur 23.767 fëmijë ose 458 fëmijë më shumë krahasuar me një vit më parë. Duhet theksuar se 171 nga foshnjat janë lindur të vdekura, ndërsa në numrin e përgjithshëm të foshnjave të gjalla vjet kanë dominuar fëmijët e gjinisë mashkullore”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Statistikës lidhur me natalitetin e vitit 2014. Për sa u përket nënave, pjesa më e madhe e foshnjave ose mbi 35.5 për qind prej tyre vjet janë lindur nga nëna në moshën 25-29 vjeçe. Analiza e lindjeve të regjistruara vitin e kaluar, vlerësuar sipas lagjeve, zbardh dominimin e serishëm të Çairit dhe Gazi Babës. Në këto dy lagje të Shkupit, në 2014, është regjistruar lindja e rreth 2000 foshnjave. Në Çair kanë lindur 1094 bebe, ndërsa në territorin e lagjes së Gazi Babës janë lindur 879 fëmijë. Ndërkohë, lagja e tretë e kryeqytetit me më shumë lindje ka qenë ajo e Aerodromit, ku janë lindur 850 bebe.

Për sa u përket qyteteve, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, top-treshen e qyteteve me më shumë lindje vazhdojnë të përbëjnë Kumanova, Tetova dhe Manastiri, si qyteti i dytë më i madh për nga numri i banorëve. Në këto tre qytet vjet janë lindur gjithsej 3422 fëmijë.

“Analiza e natalitetit ka nxjerrë Kumanovën në krye të listës së lindjeve. Në këtë qytet dhe fshatrat e tij, vjet është evidentuar lindja e 1297 foshnjave. Qyteti i dytë me më shumë bebe është Tetova, ku janë lindur 1206 fëmijë, ndërsa Manastiri me 919 lindjet është gjetur në vendi e tretë”, thuhet në analizën e Entit shtetëror të statistikës.

Lajme të ngjashme

Back to top button