Çfarë po ndodh me parkun e qytetit të Kumanovës?! (FOTO)

Parku i qytetit të Kumanovës nuk i ngjan më parkut të dikurshëm. Është prerë një numër i madh i drunjve, ndërsa pamja që ua përcjell Portalb përmes fotografive, është e mjerueshme. Përderisa në vendet e Bashkimit Evropian, ku Maqedonia ka aspirata të bëhet pjesë, ruajtja e mjedisit është prioritet numër një, në qytetet e Maqedonisë si duket vetëdija e tillë e lartë ndaj mjedisit, duhet të pret kohë më të mira për tu zhvilluar në shkallë më të lartë.

Parku i Kumanovës

Parku i Kumanovës

Parku i Kumanovës

“Unë jam plakur më. Ka 60 vite që vijë në këtë park, por nuk mbaj mend që parku ndonjëherë të ketë qenë në këtë gjendje. Shikoni ky vend ishte përplot pemë, tani nuk ka mbetur më pothuajse asnjë! Kemi ardhur që në mëngjes me këtë mikun tim, por nuk po mundemi të gjejmë vend për të qëndruar. Nuk ka hije askund. Shiko si jemi djersitur! Ne çdo verë qëndronim nën hijen e ndonjë peme këtu në park. E tani çfarë do të bëjmë?!” -tha për Portalb një banor i rrethinës.

Parku i Kumanovës

Ndërkohë miku i tij, poashtu vizitor i rregullt i parkut shtoi “Po më dhimbsen fëmijët. Lëre që nuk kanë ku të luajnë, por po u rrëzuan do të lëndohen shumë. Shikoni as bari nuk është në gjendjen që duhet të jetë!” Sipas tyre jo vetëm prerja e pemëve, por edhe heqja e stoleve ishte absurde. “Nëse nuk kishte diçka tjetër, të paktën kishte pemë që bënin hije. Tani nuk ka mbetur as hije e as karrike për t’u ulur.”- tha një banor tjetër.

Parku i Kumanovës

Për kumanovarët prerja e pemëve të këtij parku dhe mungesa e informatave të sakta pse dhe nga kush është kryer një veprim i tillë, i la hapësirë jo vetëm shqetësimit por edhe paragjykimeve të shumta.

Zëvendës drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Pastrim dhe Gjelbërim”, Adrian Afuzi konfirmoi për Portalb se janë prerë 150 drunjë nga ana e NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe të njejtat janë shitur. “Pemët ishin plepa të vjetër dhe siç dihet plepat nuk janë shumë rezistent ndaj erërave të forta. Para disa muajsh era e fuqishme i shkuli 10 pemë, por fatmirësisht nuk pati lëndime në njerëz. Për këtë shkak NP “Pyjet e Maqedonisë” i prenë pemët pasi komisioni, inspektorati kompetent vërtetoi se duhet të bëhet një veprim i këtillë.”-tha Afuzi.

Parku i Kumanovës

Ai gjithashtu sqaroi “Ne si NP ‘Pastrim dhe Gjelbërim’ deri tani kemi mbjellur mbi 120 pemë të vogla rreth parkut dhe që nga tetori e deri në fund të vitit do t’i mbjellim edhe 100 tjera brenda parkut, sepse atëherë është koha më e përshtatshme për mbjellje. Ne kemi leje nga kryetari i komunës kështu që do të mbjellim sa të ketë nevojë e ku ta shohim më të arsyeshme. Besojmë se për 4-5 vjet pemët do të rriten e parku do të marrë pamje.”

Pyetjes se a ka ndonjë projekt konkret, në bazë të cilit do të ndërmirren veprimet e nevojshme Afuzi iu përgjigj “Po komuna ka projekt për rregullimin e parkut ashtu si te ‘Kei’, por tenderat janë në procedurë e sipër. Dhe vërtetë po vonojnë këto procedurat e gjata administrative. Për ndryshe do të vendosen karrike dhe ndriçim, do të mbyllet hyerja për të penguar parkimin e veturave brenda, do të ketë edhe lodra për fëmijë e ne do të mbjellim edhe lule.”

Parku i KumanovësSipas tij pasi të realizohet ky projekt, ndërmarrja do të sigurojë edhe roje për mirëmbajtjen e të njejtës, sepse siç thotë ai “Deri tani parkun dy herë e kemi ujitur privatisht, ndërsa një muaj jashtë programit është pastruar. E dijmë se kjo që kemi bërë nuk është e mjaftueshme, por kaq kishim mundësi.Ja më herët kishte raste kur qytetarët i shkulnin pemët, ndërsa kohët e fundit shumë emigrantë qëndrojnë këtu kohë të gjatë mbi bar dhe ka filluar të thahet. Ja sot në mëngjes kishte rreth 200 emigrantë me biçikleta.” Ai hodhi poshtë çdo shpekulim rreth mundësisë për ndërtimin e ndonjë ndërtese në atë vend apo zhvendosjen e tregut të gjelbërt të qytetit./Portalb.mk

Parku i Kumanovës

Lajme të ngjashme

Back to top button