fbpx

Vendet e BE-së, partnerët kryesorë në tregtinë e jashtme të Kosovës

Agjencia e Statistikave te Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për vitin 2014 (tregtia e jashtme).

Sipas raportit të ASK-së, deficiti i vjetshëm tregtar 4 arriti në 2,213,7 milionë euro. Totali i eksporteve në këtë vit ishte 324,5 milionë euro, ndërsa importi 2,538,3 milionë euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 12.8%.

Duke krahasuar të dhënat e eksportit për vitin 2014, me ato të vitit 2013, eksportet e mallrave kanë shënuar rritje vjetore 10.4%. Përbërësit kryesorë të eksportit në vitin 2014 ishin: produktet kimike 25.9%, ushqimi dhe kafshët e gjalla 22.9%, mallrat e përpunuara 18.9%, makineritë dhe pajisjet e transporti 17.3%, materiali i papërpunuar 5.1%, mallra të tjera të përpunuara 0.6%. Rënie është shënuar te këto grupe të mallrave: yndyrat bimore dhe shtazore -56.5%, lëndët djegëse -24.2%, pije dhe duhan -6.6%.

Importi në vitin 2014, krahasuar me vitin 2013, ka shënuar rritje vjetore 3.6%. Përbërësit kryesorë të importeve janë: mallra të paklasifikuara diku tjetër, të cilat u rriten 55.1%, mallrat e tjera të përpunuara 16.8%, makineritë dhe pajisjet e transportit 8.4%, ushqimi dhe kafshët e gjalla 7.1%, pijet dhe duhani 3.5%, materialet e papërpunuara 2.5%, produktet kimike 2.4%. Rënie është shënuar te grupi i yndyrave bimore dhe shtazore -3.8%, lëndët djegëse -3.0% dhe mallra të përpunuara -2.0%.

Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partnerë kryesorë tregtar janë vendet e BE-së, me pjesëmarrje 30.2% për eksport dhe 42.6% për import, si dhe vendet e CEFTA-s, të cilat marrin pjesë me 39.2% për eksport dhe 28.4% për import, në raport me totalin e vitit 2014.

Për sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet ballkanike, Shqipëria merr pjesë me 13.6%, Maqedonia me 11.1%, Serbia me 8.4%, Mali i Zi 5.0%, në raport me totalin e vitit 2014, ndërsa pjesëmarrjen më të madhe të importeve në Kosovë nga vendet ballkanike e kanë Serbia me 14.5%, Maqedonia me 5.5%, dhe Shqipëria me 5.3%.

Lajme të ngjashme

Back to top button