5 mesazhe nga muaji i shenjtë i agjërimit!

Nga: Mr. Rrahman Ferizi

1. Shëndet i ekuilibruar:

Qasja ndaj shëndetit kërkon një trajtim permanent të kujdesit dhe vetëkontrollit. Dihet se pastërtia e ajrit, ujit dhe ushqimit ndikojnë në mënyrë direkte në përmasat e shëndetit fizik dhe mendorë.

Mirëpo ashtu siç manifestohen simptomat e humbjes së vitalitetit dhe energjisë, në mungesë të ushqimit kualitativ, po ashtu konsumimi pa kontroll i ushqimit fast-food dhe hiperkalorik, mund të çrregullojë dy nivelet e metabolizmit bazal (anabolizmin- krijimin e makromolekulave nga mikromolekulat dhe katabolizmin-zberthimin e makromolekulave në mikromolekula) si komponentë relevante për një shëndet stabil.

Dukuria e konsumit të pa ndalur dhe pa kriter, mund të shkakton pasojat e hipervitaminozës ( obozitetin) apo mbipeshës, e cila është duke i goditur pjesën dërmuese të shoqërisë bashkëkohore, përkundër një pjese tjetër të shoqërisë e cila është duke gjetur vdekjen çdo ditë nga mungesa e ujit të pijshëm dhe ushqimit elementar, sidomos në vendet të cilat janë goditur nga lufta vrastare nga despotët modern dhe anashkaluar nga bota “ civilizuese”e cila ka mbyllur sytë para këtij gjenocidi me përmasa çnjerëzore. Andaj, ky Muaj, përveç që mund të ndikoj në përmirësimin e shëndetit, na theret që çdo ditë të përkujtojmë ata që janë privuar pa të drejtë nga ushqimi dhe vdesin nga uria.

2. Larg kontaminimit ideor:

Ashtu, siç ndikojnë në aspektin biologjik të njeriu, lloji i ushqimit dhe pijeve që konsumon, po ashtu edhe qasja vizuale dhe ideore, ajo çka shikon, mendon, flet dhe dëgjon Njeriu, mund të ndikoj në kohezionin e tij shpirtëror dhe ideor. Nëse ushqimi influencon në shëndetin psikofizik, po ashtu edhe fusha magnetike (aurora) e çdo njeriu e cila është unikate, mund të tkurret apo zgjerohet varësisht nga ambienti ideor dhe kulturor në të cilin qëndron apo jeton. Këtu përfshihen, shoqërimi, leximi, apo aktivitetet tjera subjektive apo objektive të cilat praktikohen gjatë përditshmërisë. Sot, sipas shkencës bashkëkohore një personalitet i suksesshëm, nuk vlerësohet vetëm në bazë të koeficientit të inteligjencës ( IQ) mirëpo edhe në bazë të koeficientit emocional ( EQ) i cili është kusht për një psikostabilitet dhe perspektivë universale. Andaj gjatë këtij Muaj, do të duhej të zgjeroheshin përmasat e vitalitetit ideor dhe shëndetit shpirtëror, të shtrihen kufijtë drejte hyjnores larg baltësisë dhe ultësisë së tokësores.

3. Kontinuitet në vetëkontroll:

Uni i Njeriut, ngjason me një anije në një det të trazuar nga batica dhe zbatica të vazhdueshme. Andaj për të synuar një jetë stabile, kërkohet energji e madhe kinetike për të “orientuar-drejtuar” drejtë qëllimit anijen e fatit, e cila natyrshëm posedon energji potenciale, levat e së cilës tërhiqen thuajse spontanisht nga rryma të fuqishme sa majtas e djathtas. Përveç, përcaktimit të cakut-qëllimit, përkufizimit fuqishëm në rrugën e nisur, kërkohet kontinuitet dhe vetëkontroll i orientimit, drejte fanarit i cili ndriçon në bregun e largët, gjatë ditëve me stuhi dhe netëve të zymta të jetës. Andaj, ky Muaj duhet të shërbej si fanar në rrugën e jetës, drejt shtigjeve të suksesit në ketë botë dhe podiumeve të parajsës ne Botën tjetër.

4. Moralitet i shëndetshëm:

Shëndeti nuk mund të definohet vetëm në aspektin biologjik, për të dalluar njeriun nga qeniet tjera të cilat i orienton instinkti, Krijuesi njeriun e pajisi me intelekt dhe arsye e cila e lartëson në piedestal të lart nëse respekton konditat dhe limitet hyjnore dhe humane. Andaj, ky Muaj, ka përveç tjerash qëllim të arsimoj dhe edukoj si një Institucion i moraleve te larta, i cili njeriun synoj ta përmirësoj fshehur dhe haptas, në kontestin individual dhe kolektiv, nga finesat rutinore deri në ligjet dhe rregullat e bontonit të një modeli që synon të përkryerën dhe i cili nuk ndalet nga vet-auditimi koherent. Ai i cili diplomon në këtë Institucion edukimi, mund apo do të duhej të shërbej si një kuadër serioz në mësonjëtoren e jetës.

5. Qëndrueshmëri në parime dhe ideale:

Njeriu, i cili misionin e jetës së tij mundohet të ia dedikon të mirës universale, shërbimit ndaj diturisë dhe humanizmin ndaj njerëzimit, posedon parime për të cilat sfidon interesin e tij personal përballë atij kolektiv, dëshirat e tij individuale para rregullave dhe dispozitave, egon e vetëpëlqimit para dhënies përparësi tjetrit, ndërsa veten e sheh gjithmonë si gur në ndërtesën e misionit të lart e jo në epiqendër të egocentrizmit. Andaj ky Muaj, përveç tjerash, synon prej njeriut të përpjekjet të arrij një personalitet parimor, i qëndrueshëm në parime, durimtar në sfida dhe prijatar në iniciativa dhe vepra madhore. Me fat kjo ditë e këtij Muaji të sakrificës e fitores, pas përpjekjes vjen gëzimi ndërsa pas lutjeve, përgjërimit e meditimi, ngadhënjen liria shpirtërore dhe paqja shoqërore.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button