Nishani mesazh qytetarëve për zgjedhjet: Vota është pushteti juaj

Këtë të diel, më datë 21 qershor, në Shqipëri mbahen zgjedhjet lokale, ndërkohë që sot partitë politike i japin fund fushatës zgjedhore. Nisur nga kjo, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani iu ka drejtuar një mesazh qytetarëve shqiptarë, duke iu bërë thirrje që të marrin pjesë në mënyrë masive në votime, raporton Anadolu Agency (AA).

“Thirrja ime për ju, të nderuar qytetarë të vendit tim, është të merrni pjesë në mënyrë masive në votime, të ushtroni lirisht dhe vendosmërisht të drejtën tuaj sovrane të zgjedhjes, të vendosni me vote të lirë mbi alternativën më të mirë për bashkinë tuaj për të orientuar politikë-bërjen drejt shqetësimeve tuaja, për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën tuaj. Ky është misioni, kjo është detyra e çdo qytetari të përgjegjshëm. Vota e lirë i jep jetë gjykimit publik të pushtetit, i jep jetë llogaridhënies së drejtuesve të zgjedhur para qytetarëve. Indiferenca, mospjesëmarrja, e ca më keq shitblerja e votës, investojnë papërgjegjshmërinë e pushtetit. Unë shpreh bindjen se shqiptarët do të gjejnë forcën dhe kurajën për të dhënë shembullin dhe kontributin e tyre të pakursyer ndaj demokracisë në vend. Vota e lirë është fitorja e padiskutueshme e demokracisë”- thuhet në mesazhin e Presidentit Nishani, publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës.

Gjithashtu kreu i shtetit shqiptar iu ka bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përcjellin mesazhet e tyre pozitive ndaj votuesve në prag të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 21 qershor, duke i ftuar ata të shprehen qetësisht për alternativat më të mira të propozuara nga kandidatët.

Nishani vlerëson ndër të tjera se testi zgjedhor i datës 21 qershor, thuajse një vit nga marrja e statusit të vendit kandidat, duhet të shërbejë si investim kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Duke marrë shkas nga denoncime dhe të dhëna të ofruara edhe nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe jo vetëm, gjej rastin t’u drejtohem me besim të plotë drejtuesve të administratës zgjedhore, të organeve të pavarura dhe të Policisë së Shtetit, nëpunësve të Administratës Publike dhe shoqërisë civile, të jenë të angazhuar në punën e tyre të përditshme në përputhje me ligjet e vendit, në funksion të mbarëvajtjes së procesit. Dëshiroj të theksoj se roli i tyre në këtë proces është thelbësor dhe vazhdimisht i monitoruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, siç dhe evidentohet nga raporti i ndërmjetëm i Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it. Çdo veprim në kundërshtim me ligjet e vendit dhe parimet demokratike është në dëm të procesit zgjedhor në tërësi, aq të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë ndaj institucioneve dhe çeljen e ardhshme të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Nishanit, në prag të zgjedhjeve lokale.

Ndërkohë zgjedhjet lokale, që mbahen të dielën, do të organizohen në bazë të ndarjes së re territoriale të vendit, ku do të zgjidhen kryetarët e rinj për 61 bashkitë e vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button