fbpx

Mbyllet fushata e Tiranës, Rama: Fitorja jonë është përgjegjësi

Koalicioni i majtë ka mbyllur fushatën në kryeqytet në një format të ri për mitingjet elektorale. I gjithë sheshi Nënë Tereza ishte mbushur me karrige për mbështetësit e të gjitha partive aleate ndërsa skenografia ishin flamujt e rilindjes dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që dominonin.

Ilir Meta nuk i kurseu lëvdatat për suksesin e Erjon Veliaj si Ministër që sipas tij është garanci për suksesin në drejtimin e Tiranës pas 21 qershorit.

Vetë kandidati Veliaj teksa sulmoi paraardhësin Basha që e futi kryeqytetin në mandatin e tij 4 vjeçar në përgjumje, kërkoi votat për të rikthyer Tiranën e Edi Ramës.

Ndërsa kryesocialisti Rama u shfaq shumë optimist se Erjon Veliaj si kryebashkiak do të jetë një administrator që do të ketë një vizion edhe më të lavdërueshëm se vetë ai në 11 vitet e drejtimit të Tiranës.

Në formën e autokritikës kryesocialisti pranoi se shumë prej atyre që e votuan të majtën në 23 qershorin e dy viteve më parë nuk e kanë prekur ende mirëqenien në familjen e tyre, por Rama i kërkon që t’ju japin edhe një shans të dytë në zgjedhjet e kësaj të diele si besim se reformat e nisura do të vazhdojnë.

Kryeministri socialist Edi Rama, ka paralajmëruar një fitore të bujshme të maxhorancës së majtë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Sipas z.Rama, ajo që qytetarët meritojnë është shumë larg së qenit nga ajo që Shqipëria ka. Megjithëse në 18 muaj kemi bërë shumë gjëra, shumë ta tjera janë ende për t’u bërë” tha Rama.
Deklarata e kryeministrit për fitoren, janë në të njëjtën gjatësi vale me disa sondazhe të pavarura.

Sipas tyre të majtët dhe të djathtë ruajnë bastionet e tyre në të gjithë vendin, por në zonat ku e majta është dominuese, diferenca është rritur ndjeshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button