Studentët e Mjekësisë në USHT, shënuan Ditën botërore të zemrës

Me rastin e Ditës botërore të zemrës, studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Parlamenti studentor i USHT-së, për të tretin vit me radhë organizuan kontrolle falas për qytetarët, si masë preventive për sëmundjet e ndryshme të zemrës.

Shënimi i Ditës botërore të zemrës filloi me Marshin studentor, nga Rektorati i USHT-së e deri në qendër të qytetit të Tetovës, i organizuar nga Parlamenti studentor i USHT-së, në të cilin morën pjesë, përpos Kryetarit të PS – USHT, Shaban Arsllanit edhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Nasir Bexheti dhe dekani FSHMN-së, Fauzi Skenderi, prodekanë, mësimdhënës dhe një numër i madh i studentëve. 

Marshi përfundoi te Qendra Kulturore në Tetovë, para së cilës, studentë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë kryenin kontrolle falas për qytetarët, edhe atë, të shtypjes së gjakut, peshës trupore, glukozës etj.

 Gjatë orëve të pasdites, studentët i vizitoi edhe vetë Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti. Rektori Ameti, pasi kreu kontrollet, theksoi se Universiteti gjithmonë i ka përkrahur aktivitetet e studentëve, aq më tepër aktivitetet e kësaj natyre, kur dihet se kohëve të fundit, sa vjen e shtohet numri i personave me probleme shëndetësore në sistemin kardiovaskular.

“Është ditë që duhet të shënohet për shkak se në kohën moderne, në kohën e industrializimit, ka shumë njerëz që pësojnë atak në zemër dhe vuajnë nga sëmundjet e ndryshme të zemrës. Vetë kjo tregon se sensibilizimi i gjeneratës së re, siç është Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë dhe studentët tanë, japin një mesazh se duhet kushtuar rëndësi të veçantë shëndetit dhe aktiviteteve fizike, që në të ardhmen, dalë nga dalë këto sëmundje të zvogëlohen dhe jo të rriten. Më e rëndësishme në këtë mes është parandalimi, gjë që shumë më lehtë mund të arrihet me kontrolle të vazhdueshme”, tha Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.

Lajme të ngjashme

Back to top button