Eurostat: Kosovarët, azilkërkuesit kryesorë në BE për tremujorin e parë të 2015-s

Në Bashkimin Europian u regjistruan 185 mijë raste të reja azilkërkuesish gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 dhe, sipas “Eurostat”, zyrës së statistikave të BE-së, “gjysma e tyre janë kosovarë, sirianë apo afganë”.

Nga të dhënat e publikuara vërehet një rritje prej 86%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa shtetësia kosovare kryeson me gati 50 mijë (saktësisht 48.900) kërkesa të reja për azil gjatë atij tremujori, apo 26% të numrit të përgjithshëm, duke lënë pas Sirinë dhe Afganistanin.

90% e kosovarëve janë regjistruar në vetëm dy shtete anëtare: 22 mijë e 800 në Hungari dhe 21 mijë e 100 vetë në Gjermani, ndërkohë që “Eurostat” bën të ditur se kosovarët përfaqësojnë azilkërkuesit kryesorë edhe në Francë e Luksemburg.

Sirianët përfaqësojnë shtetësinë e dytë, me 16% të numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve të rinj në BE, të ndjekur nga afganët me 7%. Shqipëria dhe Iraku ndajnë njësoj 4% të kërkesave të reja, pasuar nga Serbia me 3%, e të tjerë.

Gjermania – me 73 mijë e 100 aplikues të rinj, – dhe Hungaria, – me 32 mijë e 800 raste të reja, – kanë përballuar më shumë se gjysmën e fluksit të kërkesave të përgjithshme, të ndjekur në distancë nga Italia me 15 mijë e 200; Franca me 14 mijë e 800; Suedia me 11 mijë e 400; Austria me 9 mijë e 700; si dhe Britania e Madhe me 7 mijë e 300.

Normat më të ulëta të azilkërkuesve, në raport me popullsinë e vendit pritës, rezultojnë në 11 shtete të BE-së, si Kroacia, Sllovakia, Lituania, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Letonia, Çekia, Estonia, Polonia dhe Spanja; ndërsa normat më të larta u regjistruan në Hungari, me 3 mijë e 322 aplikantë të rinj për tremujorin e parë të këtij viti, duke ia kaluar dhe Gjermanisë, Suedisë dhe Austrisë.

“Eurostat” tregon gjithashtu se, më shumë se 500 mijë aplikues për mbrojtje ndërkombëtare mbeten në pritje për t’u trajtuar nga autoritetet kombëtare në shtetet anëtare të BE-së. 530 mijë vetë rezultuan në pritje të përgjigjes, në fund të marsit 2015, ndërsa një vit më parë numëroheshin 350 mijë persona. /Top Channel/

Lajme të ngjashme

Back to top button