Punësimet partiake e sollën Maqedoninë në këtë derexhe me borxhet

Një pjesë e ndërmarrjeve publike sërish janë në mesin e borxhlinjëve më të mëdhenj të tatimeve, akcizave, carinave dhe kontributeve. Ekonomistët thonë se punësimet partiake i ngarkojnë finansiarisht ata dhe nuk kanë prosperitet.

Drejtoria e të hyrave publike në listën e zezë të borxhlinjëve më të mëdhenj sërish e ka vendosur një pjesë të ndërmarrjeve publike në pozitë të turpshme. Tashmë disa herë “Rruga e Maqedonisë”, “Pyjet e Maqedonisë” dhe shërbimi publik RTVM ndodhen në këtë listë me borxhe, të cilat kalojnë disa miliona euro. Arsyen kryesore për gjendjen e këtyre ndërmarrjeve ekspertët ekonomik e shohin në menaxhimin e keq dhe të papërgjegjshëm të të njejtave, veçanërisht nëse mirret parasysh punësimi partiak, që, siç thonë ata, edhe më tej e ngarkon buxhetin e kompanive.

“Këto institucione janë të mbushura me ushtarë partiak, të cilët punësojnë atë çfarë iu urdhërohet në zgjedhje dhe si shpërblim fitojnë punësim në këto institucione publike, qoftë përmes kontratave afatgjate ose përmes ndonjë kontratate konsultative për kohë më të shkurtër”- tha për Portalb analisti ekonomik, Visar Ademi.

Me këtë pajtohet edhe prof. Marija Zarezankova- Potevska. Ajo tregon faktin se në këto ndërmarrje mungon marrja e përgjegjësisë nga ana e personave udhëheqës, ose thënë më ndryshe harxhohet përtej mundësive.

“Duhet që t’i shtrijnë këmbët aq sa e kanë jorganin, por dukshëm këtë nuk po e bëjnë, sepse mendojnë se janë të fuqishëm pasi që pas tyre qëndron shteti, i cili do të kujdeset për ta dhe në ndonjë mënyrë në fund sërish do t’ua mbulojë borxhet ose do të u’a shlyej”- thotë për Portalb Potevska.

Nuk është e panjohur se në të kaluarën një pjesë të borxheve të këtyre kompanive ia ka shlyer Qeveria, por sipas ekspertëve ky veprim është joetik dhe jo i drejtë. Ademi vlerëson se gjendja mund të përmirësohet vetëm nëse ato ndërmarrje që punojnë me humbje transformohen, ose nëse me ta udhëheqin ekipe profesionale të menaxherëve.
“Kompanitë jofunksionale nuk mund t’i kursejmë me atë që do t’ua fshehim harxhimet apo borxhet. Për këtë arsye shteti duhet të bëj një transformim të këtyre kompanive ose në shitje të tyre ose t’ua shesin investitorëve privat. Tjetër mundësi është të vendosin ekipe funksionale të menaxherëve, që do ta bashkojnë kapitalin njerëzor me kompetencat dhe aftësinë”-tha ai.

Ajo të cilën e tregon Potevska është nevoja e udhëheqjes në interes të menaxhimit efikas te këto kompani.
“Një prej zgjidhjeve është parteriteti privato-publik, ose kyçja e sektorit privat. Megjithatë është fakt se askush nuk dëshiron të hyjë e të investoj kapital në diçka që prej më herët e din se është i gjykuar me humnerë, pra nuk do të ketë asnjë dobi”, thotë ajo.

Përskaj televizioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe komunale kohën e fundit në listën e publikuar të borxhlinjëve më të mëdhenj në bazë të tatimeve, akcizave, carinave dhe kontributeve të papaguara, janë edhe firmat private dhe mijëra qytetarë. Nga firmat shtetërore kryeson “Rruga e Maqedonisë”, me borxh prej 6,5 milion euro, “Pyjet e Maqedonisë” me 5 milion euro dhe Radiodifuzioni i Maqedonisë me afër gjysëm milion euro. Shërbimi publik është borxhliu më i madh prej mediave. Borxhi i TVM-së është 1 milion e 673 mijë euro! /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button