Super derbi në Londër, Arsenal – Napoli

Do të vazhdojnë sonte garat në Ligën më prestigjioze evropiane të  klubeve, Liga e Kampionëve. Në grupin E, skuadra e Çellzit pas  disfatës së parë nga Bazeli në Angli, do të kërkojë pikët e para duke luajtur si mysafir i Steauas në Bukuresht. Nga ana tjetër Bazeli do të pret në fushë të vet ekipin gjerman Shalke 04. Pikërisht Bazeli dhe Shalke nga takimet e para dolën fitues dhe arkëtuan nga tre pikë.

Në grupin F, pritet ballafaqimi më interesant i mbrëmjes, ku do të ndajnë mejdanin dy ekipet që kryesojnë me nga tre pikë tabelën, Arsenali dhe Napoli i Blerim Xhemailit. Italianët mund të mos kenë të gatshëm për sfidën e mbrëmjes me Arsenalin, argjentinasin Gonzalo Higuain. Sulmuesi ka ndjerë sërish shqetësim në këmbën e tij të djathtë dhe me shumë gjasa nuk do të jetë sot në fushë për të dhënë kontributin e tij për napoletanët. Në takimin tjetër do të sprovojnë forcat Borusia Dortmund dhe Olimpik Marseja.

Grupi G, do të sjell sfida emocionuese mes Portos dhe Atletiko Madridit, skuadra që kanë siguruar nga tre pikë. Zeniti i Petersburgut do të jetë nikoqir i skuadrës Austria të Vjenës.

Në grupin H me padurim pritet ndeshja në Amsterdam mes Ajaksit dhe Milanit, ndërsa Barcelona do të jetë mysafire e Seltikut. Në këtë grup kryesojnë Milan dhe Barcelona me nga 3 pikë, ndërsa Ajaksi dhe Seltiku do të kërkojnë pikët e para.

Për dallim nga ndeshja në Rusi mes Zenitit dhe Austrisë që fillon në ora 18:00, të gjitha takimet tjera janë në program në terminin e rëndomtë në ora 20:45 minuta. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button