Miliarderi Donald Trump shpall kandidaturën për President të Amerikës

Miliarderi i njohur amerikan, Donald Trump, ka shpallur kandidaturën për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Në një deklaratë publike, pranë ndërtesës së tij, Trump Towers, në New York, vetë miliarderi ka premtuar se do të risjellë në jetë ëndrrën amerikane: “Unë zyrtarisht do të garoj për President të Shteteve të Bashkuara dhe ne do ta bëjmë përsëri Amerikën një shtet të mirë”,- ka thënë Trump. 68-vjeçari është përfaqësues i Partisë Republikane, por në të vërtetë, sipas mediave amerikane, nuk ka qenë asnjëherë i nominuar nga partia më parë, edhe pse ai vetë e ka përmendur shpeshherë mundësinë e kandidimit kur të ishte momenti i duhur.

Për hërë të parë gjatë deklaratës së tij, Trump ka zbuluar edhe vlerën e pasurisë së tij, për atë që është folur e përfolur shumë në media. Sipas tij, vlera totale e pasurisë është 8.73 miliardë dollarë. Trump e ka përmendur vlerën duke shtuar se pasuria do t’i japë mundësi të jetë një President efektiv dhe për të rimëkëmbur ekonominë amerikane: “Vendi ynë ka probleme serioze. Ne nuk fitojmë më nëpër botë. Kur ishte hera e fundit kur na mposhtën nga Kina në marrëveshjet ndërkombëtare?”,- ka thënë miliarderi amerikan.

Sa i përket platformës, Trump ka shprehur dëshirën për të pasur pranë vetes edhe njerëz të tjerë të famshëm në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë Oprah Winfrey si zëvendës presidente. Ai gjithashtu ka premtuar se do të hapë shumë vende pune dhe se nën udhëheqjen e tij, Amerika do të mposhtë armiqtë e saj më të mëdhenj, si Kinën për fuqinë e saj ekonomike dhe ISIS-in.

Lajme të ngjashme

Back to top button