Agjërimi, Pranverë shpirti

“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfri e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po qe se dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (El Bekare, 183-184)

Besimtarë të dashur, le ta falënderojmë Krijuesin tonë, i Cili na e mundësoi që edhe një herë ta presim Muajin e Bekuar të Ramazanit, këtë Muaj në të cilin filloi shpallja e Kuranit, këtë muaj në të cilin na u bë obligim agjërimi, këtë muaj përplot me ibadete dhe adhurime për Allahun xh. sh.  Si çdo gjë që ka derën e vet, edhe ibadetet kanë derën e tyre. Kjo derë është agjërimi, thotë Pejgamberi ynë, Muhamedi a. s.

A është rastësi bërja obligim e agjërimit pikërisht në këtë muaj,  kur filloi të shpallet Fjala e Allahut xh. sh.? Çka është kjo Fjalë,  nëse jo lutje ! Çka është kjo Fjalë,  nëse jo kuptim dhe parim jete; nëse jo rend dhe rregull! Çka është kjo Fjalë,  nëse jo ndërgjegjësim për këtë jetë kalimtare,  si një urë drejt botës së përjetshme!

Agjërimi është thirrja më kumbuese e ndërgjegjes sonë për obligimet e përhershme  dhe detyrat që i kemi, mbi të gjitha, ndaj fesë sonë, ndaj Allahut xh. sh. dhe ndaj krijesave të tij, pa dallim gjinie, race, feje. Agjërimin duhet kuptuar, siç thotë Muhamedi a. s.,  ”si një mburojë”  hermetike, e cila të mbron prej çdo sulmi nga jashtë. Por, të mbron edhe nga çdo gjë që shkakton hidhërimin e Allahut xh. sh.; të mbron nga zjarri i Xhehenemit. Gjithsesi, të mbron edhe nga prekja e sëmundjeve të ndryshme organike e shpirtërore; të mbron nga ndikimet e ulëta,  qofshin ato individuale apo të shoqërisë në përgjithësi. Por, kjo mburojë do të ishte e paefektshme nëse me të nuk mishërohet organizmi ynë. Pasionet tona, egoizmi ynë, epshet tona, veset tona të shëmtuara, çdo gjë e keqe brenda nesh nuk guxon të shpërthejë e të dalë jashtë kësaj “mburoje hermetike”. Kjo e keqe brenda nesh, duke u zvetënuar e duke u përtharë, duke vdekur e duke u zhdukur, do t’i lë hapësirë zhvillimit të të gjitha vetive të ndershme dhe fisnike, do të na bëjë të dashur, të ndjeshëm dhe të devotshëm. Fundja, ky është misioni ynë në këtë jetë. Të jetojmë, bukur, mirë, të reflektojmë dashuri, respekt, mirësi dhe t’i përkushtohemi e t’i përulemi vetëm Krijuesit të Gjithësisë, Allahut xh. sh.

Pra, Zoti na e bëri obligim agjërimin po në këtë muaj kur filloi Shpalljen e Vet. Pra, na e bëri të qartë se, kësaj Shpallje, kësaj Drite, kësaj Rruge të Vërtetë, Këtij Libri vlerash e parimesh të shenjta, mund t’ju qasemi vetëm nëse do të jemi fizikisht e shpirtërisht të pastër e të lartësuar, të shpëlarë nga mëkatet, nga veset e këqija e të përmbushur me devotshmëri. Agjërimi, ngjashëm si namazi, është ndër nivelet më të larta të shprehjes së devotshmërisë, përkushtimit që bëhet,  vetëm për Allahun xh. sh.  Nëse gjatë kryerjes së ibadeteve të ndryshme te myslimani mund të vërehet ndonjë element i hipokrizisë, agjërimi është i vetmi ibadet që nuk reflekton asnjë grimcë hipokrizie. Muhamedi alejhis-selam  thotë: “I vetmi ibadet që nuk ka dyfytyrësi është agjërimi.” Për një kohë të caktuar myslimani heq dorë nga gjërat që ia do organizmi dhe shpirti dhe, kësisoj, duke ndjerë nevojë për to, detyrimisht i drejtohet Zotit me:  “O Zot,  mos na lë pa to” dhe, njëkohësisht i falënderohet me përulësi vetëm Atij. Një muaj rresht, nga agimi në agim, nga muzgu e në muzg, myslimani është i lidhur me Zotin, duke iu përkushtuar tërësisht Atij dhe vetëm Atij. Në fakt, agjërimi është “një çingërimë” relativisht e shkurtër në ndërdijen e çdo myslimani për ta zgjuar nga letargjia qoftë ajo edhe dy-tri sekondëshe. Myslimani i devotshëm nuk ka kohë përveçse t’i lutet dhe ta falënderojë Zotin për të mirat e kësaj bote dhe për udhëzimet për të ecur nëpër të vetmen Rrugën e cila të shpie në Xhenet.

Agjërimi është pranverë e shpirtit. Në pranverë gjallëron gjithçka, në pranverë lërohen dhe mbillen arat për të siguruar ushqimin gjatë tërë vitit. Ata që natyrshëm pengohen për të agjëruar (të sëmurët, shtatzënat, pleqtë e rraskapitur etj.),  ata këtë e konpensojnë me një pagesë në kundërvlerë të një vakti për të varfëri. Pra, agjërimi na bën të jemi më të ndjeshëm ndaj shtresave në nevojë, na mobilizon me humanizëm dhe na bën të jemi një edhe me ata me të cilët në përditshmëri shpesh edhe i harrojmë, madje as që i vërejmë. Është i bekuar ai i cili këtë ndjenjë të theksuar gjatë Muajit të Ramazanit do ta ketë në po të njëjtin nivel edhe muajve të tjerë, gjatë tërë vitit. “Myslimanizmi sezonal” është një hipokrizi fatale për botën myslimane dhe shumë e dëmshme për Islamin. Pra, agjërimi, përkatësisht abstenimi nga të ushqyerit, nga pijet,  si dhe nga kënaqësitë e rëndomta shpirtërore, është i rastësishëm nëse nuk përcillet me lutje, me ibadete, me përkushtim, me devotshmëri, me sjellje të mira, duke abstenuar nga shikimi mëkatar, nga përgojimi, nga spiunimi etj., duke e ngjallur dhe kultivuar ndjenjën e humanizmit, të dashurisë vëllazërore, familjare, të respektit etj. Dhe, pikërisht këto sjellje duhet ta shoqërojnë përjetë myslimanin.  Pra, në njëfarë forme, myslimani gjatë tërë jetës së vet duhet të jetë në agjërim.

Në një hadith kudsij thuhet: “Allahu xh. sh. thotë: “Agjërimi është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të, sepse njeriu për hir Timin heq dorë nga haja e pija. ”

Po ashtu, në një hadith të Pejgamberit a. s. thuhet: “Agjërimin e prishin pesë gjëra: gënjeshtra, shpifja, përgojimi, betimi i rrejshëm dhe shikimi me pasion, afsh”.

Të dashur besimtarë,  në mënyrë që agjërimi të jetë ibadet, duhet që patjetër ta kemi frikë sot e përjetë Allahun xh. sh.,  t’i përkushtohemi Atij me lutje, me dhikër, me lexim e dëgjim të Kuranit, por edhe me bamirësi, me vepra të mira, me qetësi, me butësi, me respekt e dashuri për njeriun si mëkëmbës të Zotit në këtë botë. Në të kundërtën, do të jemi të zhdukur në këtë dhe në botën tjetër.

O Zot, na e mundëso që këtë Pranverë shpirti ta presim të lumtur e të gëzuar, na jep forcë për sa më shumë lutje e ibadete. O Zot, zhduki të gjithë ata faktorë që i pengojnë deri në pamundësi për të agjëruar myslimanët kudo nëpër botë. Zoti Ynë, kij mëshirë dhe shtoje respektin dhe dashurinë e njeriut ndaj njeriut, shto, kudo në botë, mirëqenien, mirësinë, paqen. Amin!

Vëllezër e motra, ju qoftë për hair Muaji i Bekuar i Ramazanit dhe paçi një agjërim të lehtë e të përmbushur me ibadete.

(Autori është Kryetar i BFI në RM)

Lajme të ngjashme

Back to top button