Deputetët sot do të debatojnë për ndryshimet e Ligjit për azil

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta mbajë seancën e 56-të plenare, me pikë të vetme në rendin e ditës – Propozim i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për azil dhe mbrojtje të përkohshme, me procedurë të shkurtuar.

Me ligjin parashihet që migranti, i cili do të kalojë kufirin, të marrë vërtetim se në vend mund të qëndrojë më së shumti 72 orë, pas çka duhet ta kalojë kufirin ose të kërkojë azil.

Qeveria e pranoi propozim ligjin në seancën e së hënës, pas çka kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski duke marrë parasysh gjendjen aktuale dhe rrethanat që kërkojnë veprim të shpejtë, caktoi seancë të veçantë me pikë të vetme në rend dite, me qëllim miratim të shpejtë të ndryshimeve të propozuara ligjore.

Në pajtim me zgjidhjen e propozuar ligjore, i huaji në vendkalimin kufitar ose brenda shtetit para nëpunësit të autorizuar policor mundet me shkrim ose gojarisht ta tregojë qëllimin për të parashtruar kërkesë për njohjen e të drejtës për azil. Pas shprehjes së qëllimit, nëpunësi policor do të duhet të kryejë evidencë të personit të huaj, i cili ka shprehur qëllimin dhe ta informojë dhe ta udhëzojë se në afat prej 72 orëve mund të parashtrojë kërkesë për njohjen e së drejtës për azil para organeve kompetente.

Nuk dihet numri i emigrantëve ilegal që çdo ditë kalojnë përmes Maqedonisë drejt vendeve nga Evropa Perëndimore, ndërsa me këtë ligj pritet që të lehtësohet tranziti i tyre përmes vendit.

Banorë të vendeve nga Lindja e Afërt, si Siria, Irani, Afganistani e tjerë, të cilët dëshirojnë të arrijnë tek vendet e Evropës Perëndimore, për çdo ditë ilegalisht e kalojnë kufirin me Republikën e Greqisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë.

Migrantët ilegalë territorin e vendit e kalojnë në këmbë ose me biçikletë, pasi nuk guxojnë të përdorin tren ose transportues publik. Me ndryshimet e ligjit, migrantët gjatë këtyre 72 orëve do të kenë të drejtë të përdorin transportin publik, respektivisht trenin dhe autobusët.

Migrantët gjatë muajve të kaluar lëviznin edhe përgjatë binarëve të hekurudhës, ku ndodhën disa fatkeqësi.

Lajme të ngjashme

Back to top button