Ivanov i fyer nga shkurtesa FYROM, por pret që me të njëjtën të pranohet në NATO?!

Presidentit i shtetit, Gjorgje Ivanov, vendosi ta refuzojë ftesën e shërbimit botëror mediatik Euronews, për shkak se hashtagu me të cilin ishte njoftuar intervista përmbante shkurtesën e referencës së përkohshme FYROM. ( )
Siç njoftuan nga kabineti i tij, “Shkurtesa është fyerje direkte për qytetarët e Maqedonisë”.

“Jashtëzakonisht i papranueshëm është përdorimi i shkurtesës FYROM në etiketimin e vendit tonë, Republikës së Maqedonisë. Ndjejmë keqardhje të thellë që, edhe përskaj dëshirës së mirë për bashkëpunim nga ana jonë, nuk ishte e pranueshme kërkesa për heqjen e shkurtesës FYROM në promovimin e intervistës në rrjetet sociale, dhe nuk ishte pranuar kërkesa të bashkoheni në përdorimin e emrit kushtetues të vendit tonë. Vlerësojmë se përdorimi i shkurtesës FYROM është fyerje direkte për qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Ajo shkurtesë, siç sqaruam më herët, askund nuk përdoret”, shkruan në letrën që kabineti i presidentit ia dërgoi Euronews-it.

Sidoqoftë, vetëm para 10 ditësh presidenti e përsëriti qëndrimin e tij, të njohur tashmë, që Maqedonia të pranohet në NATO me referencën e përkohshme, kurse të gjitha mediat e përcollën lajmin duke emërtuar Maqedoninë me referencën IRJM. Në Samitin “Brdo-Brioni” që u mbajt në Budva në fillim të muajit, Ivanov propozoi që çështja e emrit të zgjidhet, ose konflikti mbi emrin të anulohet tërësisht.

“Maqedonia t’i fillojë negociatat, dhe në fund të vendoset që të mund të gjendet mënyrë për mbylljen e çështjes” -propozoi ai.

Ivanov nuk e ofroi këtë zgjidhje për herë të parë, por disa herë deri tani, dhe gjithmonë mediumet e përcollën me anë të shkurtesës IRJM ose FYROM.

Referenca thuajse gjithmonë u përdor në të gjitha kontaktet me presidentin, e nuk është përjashtim as takimi i Ivanovit me sekretarin gjeneral të NATO-s në vitin 2012.
E atëherë, pse ky president që nuk e hap gojën për çështjet me rëndësi në vend, tani ndjehet i fyer dhe reagon?

Lajme të ngjashme

Back to top button