fbpx

Kush është më shkja se unë?!

E mërkurë. Zgjohesh në mëngjes i lodhur ngase ke fjetur keq. Mendimi i parë që të bjen ndërmend: është mesi i muajit, ka edhe shumë nga muaji deri në rrogën e ardhshme, dhe kam mbetur trok pa para. Në punë s’të respekton kërkush, ndjehesh i panevojshëm, punon me lodhje, kthehesh nga puna akoma më i sfilitur. Në banesë jeton i vetmuar, nuk ke familje, nuk ke shokë. Jeton me kakaroçat, që hypin e zbresin nga lavamani i mbushur me enë të palara dy-tri javë. Veturën e prishur e ke dërguar tek mekaniku, por nuk ke vajtur ta marrësh ngase nuk ke si e paguan punën e këtij punëtori. Shkon dhe kthehesh nga puna në këmbë, megjithëse mbi 5 kilometra rrugë i thonë në vapën e Shkupit. Kthehesh në mbrëmje, e ndez televizorin. TV Telma, emisioni debativ i mbrëmjes. I ftuar, presidenti i shtetit. Mendimi i fundit i ditës: Paska shpresë! Nëse një i paaftë si ky mund të bëhet president në këtë farë shteti, atëherë ka shpresë edhe për mua, që një ditë të zgjohem e të mos i shoh shokët e mij, kakaroçat si shëtiten mbi trupin tim, por një femër të bukur që më ka mbështjellë me ato këmbët e saja të lëmuara. Hmh!

Të mençur këta të BDI-së, them me vete. Nuk e pranuan këtë krijesë për president. Nuk e votuan. U jap të drejtë, hera e parë të mendoj pozitivisht për një hap të madh të kësaj partie, rrjedhimisht parie shqiptare. Ky burrec nuk e meriton të jetë president i Maqedonisë, përderisa nuk i pranon kushtet e kombit shqiptar të personifikuar në figurën e liderëve të kësaj partie: Aliut, Musës dhe të tjerëve (Storie e vjetërruar tanimë, ishte e nxehtë para një viti). Atëherë këta burra të mëdhenj, udhëheqës politikë e shpirtërorë të shqiptarëve, buçitnin mikrofonat, plasnin grushtat fuqishëm në krahërorë, që janë shqiptarë të mëdhenj, burra të vërtetë si shqiptarët e një kohe romantike. Ndërsa dje më del njëfarë Zaevi nga Strumica, tenton të më prishë bindjen e sapoformuar, të më rënojë piramidën e bindjeve të mia nacionaliste, e më mburret me do inçizime se po këta liderë gjoja paskan thënë që janë më “shkja” sesa “shkjau”. Bile Zorani i nervozuar pas emitimit të “zëthave”, lëshoi sallën ku mbahej pres konferenca, i prekur në sedrën e tij “shkjarore”.  E bën për vota, dihet – kërkon të tregohet më patriot sesa cka është.

Kuptohet që reagimi i VMRO-së së Nikollës nuk u vonua, u ndje i fyer se pse Zorani paska dalë nëpër mediume si më patriot sesa Nikolla me një “ikje aq dramatike nga pres konferenca” (sikur të kishte ndodhur kjo); bile partia e Nikollës doli në mbrojtje të tezës që mbroi BDI-ja pas shpalosjes së bombës numër 38 – në të cilën plasje triumfoi “shkijizmi” dhe “vmro-izmi” i udhëheqësve shqiptarë – tezë sipas të cilës bomba paska qenë e montuar dhe e pavërtetë. Shqiptarizmi i udhëheqësve integrista, është më i theksuar se kurrë kundrejt “shkijizimit”. VMRO reagoi se Zorani me këtë “bombë” tentoi të rrënojë stabilititetin e theksuar dhe mirëkuptimin e madh mes popujve të ndryshëm në Maqedoni (maqedonët, shqiptarët, serbët, romët, turqit dhe të gjithë partnerët tjerë të koalicionit “Za podobra Makedonija”), dhe e akuzuan atë për tentim rrënimi të standardeve tanimë të vërtetuara lidhur me atë se kush është më “shkjau” në këtë vend. E paramendoj që kjo do të jetë pikë goxha e nxehtë në takimet e ardhshme të këtyre burrështetasve në Bruksel apo Przhino.

Sot në fakt nuk kam kohë të merrem me këto muhabete kafesh. Nesër fillon Ramazani, duhet të mendoj cka do të ha për syfyr. Thashë më lartë, jam trok, ndoshta kërkoj pak lëmoshë. Muaj i shenjtë, dikush duhet të gjuajë dicka lëmoshë. Presidenti i shtetit ishte i pari që vrapoi të na e urojë neve besimtarëve. Fill pas tij, nën-kauboji kryesor i shtetit, Veljanovski, që në shenjë respekti ndaj “indianëve” na dedikoi ca fjalë të bukura. Më habiti reagimi i Gruevskit, pritja të thotë ndonjë fjalë shqip, pse jo edhe arabisht. Por me siguri, “bomba” e djeshme e ka turbulluar, nuk ka dashur të tregohet “shiptar” përpara “shkijeve”; e bën për vota, nënkuptohet. “Inshalla” kanë agjërim të lehtë udhëheqësit tanë, se sa për popullin, do gjejë një korre bukë edhepse ende mes i muajit, edhe rroga është shumë larg…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Një koment

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close