fbpx

Xhandarmëria serbe rrethoi Dobrosinin e Bujanocit

Forca të mëdha të xhandarmërisë serbe kanë hyrë mbrëmë në fshatin kufitar Dobrosin të Bujanocit si dhe ka patrulluar deri në afërsi të fshatit Stublinë, të komunës së Gjilanit, raporton “Zëri”.

Banorët janë të shqetësuar dhe më së shumti i frikësohen ndonjë skenari të mundshëm të autoriteteve në Beograd, që do të ishte me pasoja për shqiptarët e këtij lokaliteti. Ata i druhen ndonjë provokimi si ai i heqjes së dhunshme të flamurit nga varrezat e dëshmorëve të UÇPMB-së.

Lidhur me gjendjen aktuale ka reaguar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu. “Kjo praktikë ende po vazhdon nga e kaluara. Qëllimi kryesor është ajo që ka deklaruar edhe vet gjenerali serb, që paralajmëroi se në vijim do të ketë masa të shtuara në Luginë të Preshevës. Kjo është ajo që Serbia ende po i tregon muskujt ndaj shqiptarëve”- deklaroi Musliu, ish udhëheqës politik UÇPMB-së.

Sipas tij, Serbia ende po ndjek rrugën e së kaluarës, atë të Millosheviqit. “Do të thotë atë çka e deklaroj para disa dite gjenerali serb se do të ketë forca të shtuara edhe të ushtrisë edhe të xhandarmërisë në Luginë të Preshevës, kjo sot u demonstrua”-shtoi ai.

Dobrosini është fshati i parë kufitarë i banuar me shqiptar etnik. Ky fshat para 15 vjetëve u bë vendlindja e ish-Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). Pikërisht pranë varrezave të dëshmorëve të UÇPMB-së është stacionuar policia kufitare.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close