fbpx

Bashkërendim i aktiviteve shkencore mes tre instituteve shqiptare

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) – Shkup, u zhvillua një takim i përbashkët mes drejtorëve të tre instituteve shqiptare të Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës, me ministrin e Arsimit të Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi. Kështu, Akademik Beqir Meta – drejtor i Institutit të Historisë nga Tirana, Prof.dr. Sabit Syla – drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” nga Prishtina, dhe drejtori i ITSHKSH-së – Dr.Skender Asani, biseduan për bashkërendimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore dhe mbështetjen e tyre institucionale.

Fillimisht, drejtori Asani i njoftoi mysafirët me bashkëpunimin e deritashëm mes këtyre tre instituteve, që për herë të parë është duke shënuar një etapë shumë frytëdhënëse në zhvillimin e shkencës shqiptare. Ai theksoi se ne jemi Institut i ri për nga vitet, mirëpo jemi duke u munduar që të bëjmë hapa të fuqishëm drejt avancimit të shkencës shqiptare, dhe në këtë vijë është edhe bashkëpunimi me shumë institute jo vetëm në vend, por dhe jashtë.

Ministri i Arsimit i Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, mirëpriti këtë bashkëpunim mes tre instituteve, dhe theksoi mbështjetjen e parezervë në punën kërkimore-shkencore të këtyre instituteve. Në kuadër të krijimit të kushteve për funksionimin normal të ITSHKSH-së, ai theksoi se është në përfundim e sipër projekti për ndërtimin e objektit të ri të Instututit, dhe se shumë shpejt do të mund të fillojnë edhe punimet.

Drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Akademik Beqir Meta, tha se përveç konferencave që janë në vijim të organizimit, është kërkuar nga Ministria e Arsimit mbështetja e për botimin e një kolane dokumentare austrohungareze për shqiptarët, që kapin periudhën e viteve 1912-1918. Këto mijëra dokumente shumë të rëndësishme që gjenden në arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë, pritet të përgatiten nga ekipe të përbashkëta specialistësh dhe të botohen nga ITSHKSH në Shkup.

Ndërsa, drejtori i Institutit të Historisë së Prishtinës, Prof.dr. Sabit Syla, tha se ne shqiptarët kemi një histori të përbashkët, dhe se në këtë frymë, kohën e fundit është krijuar një klimë shumë e mirë e bashkëpunimit në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Prishtinë. Mbi këtë bazë do të duhej të shkruhej edhe historia e përbashkët e shqiptarëve kudo që jetojnë ata sot, tha ai.

Në fund, kryetari i Komunës Çair të Shkupit, Izet Mexhiti i njoftoi të pranishmit lidhur me planin për ndërtimin e objektit të ri të ITSHKSH-së në truallin e ish-kazermës “Ilinden”. Projektin do ta mbikëqyrë dhe realizojë Ministria e Arsimit, ndërsa do t’i përshtatet nevojave dhe kërkesave të vetë Institutit

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close