Nuk ka para për mjekim, por ka për fontana e rrethoja

Në momentin kur shteti po ballafaqohet me çështje prioritare për të cilat Qeveria duhet të ndajë para nga buxheti, dhjetëra mijëra euro investohen për ndërtimin e fontanave të reja dhe rrethojave nëpër ura.  Një nga rastet e fundit, si vdekja e vajzës nëntëvjeçare Tamara Dimovska e cila ka pritur një zgjidhje nga shteti për operim jashtë vendit, ka nxitur revolt tek qytetarët. Nga ana tjetër, Qeveria dhe Qyteti i Shkupit për një fontanë të re në shesh kanë harxhuar2.5 milion euro, transmeton REL.

Analisti Sllobodan Najdovski thotë se kjo është vazhdimësi e politikës së gabueshme buxhetore të cilën nëntë vite me radhë e udhëheqë kryeministri Gruevski. Ai shtoi se përkrah çdo investim në ndërtimtari por jo edhe politikën e harxhimit të parave kur nuk respektohen prioritetet.

“Në këtë moment kur nga të gjitha anët vijnë paralajmërime se këtë vit nuk do të plotësohen të ardhurat e planifikuara në buxhetin e shtetit, është e panevojshme të harxhohen para për objekte të cilat jo që nuk janë prioritet, por nuk janë aspak të nevojshme’, vlerëson Najdovski duke shtuar se qytetarëve ju pengon ajo që nga buxheti I shtetit investohen para të mëdha për projektin Shkupi 2014.

Drejtori ekzekutiv i Transparencë Maqedoni, Ana Janevska Deleva, thotë se në muajin prill janë hapur shpallje të tjera publike për projektin Shkupi 2014, edhe pse ky projekt është dashur të përfundojë.

“Harxhohen, më shumë se 500 mijë euro për enterierin e sallës për konferenca të Muzeut të VMRO-së. Më shumë se 134 mijë euro për ndriçimin e përmendoreve, edhe pse më herët për këtë Qyteti I Shkupit ka nënshkruar marrëveshje me vlerë prej 96 mijë eurove”, deklaroi Janevska Deleva.

“Marrëveshja është arritur në muajin shkurt, por I njëjti është revokuar dhe është nxjerrë sërish shpallje që është për 38 mijë euro më shumë se marrëveshja e parë. Nuk duhet ta anashkalojmë edhe përfundimin e urës së Lirisë, ku ishin planifikuar 1 milion e 150 mijë euro por tani qyteti ka nënshkruar marrëveshje plotësuese për rritjen e çmimit edhe për 260 mijë euro”, thotë ajo.

Janevska Deleva theksoi se me nënshkrimin e tenderëve dhe marrëveshjeve dhe me rritjen e vazhdueshme të çmimeve, lënë të dyshohet për korrupsion. Ajo tha se është koha që Kryeministri Nikolla Gruevski, ministrja e kulturës Elizabeta Kamçevska Milevska dhe Koce Trajanovski, kryetarë i Qytetit të Shkupit të tregojnë publikisht kur to të mbyllet ky projekt dhe sa është vlera përfundimtare./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button