Si i “zhduku” Beketi paratë! 8 kompanitë e tij, 70 mijë euro në llogari

Francesko Beketi dhe kompanitë e tij në Shqipëri kanë boshatisur llogaritë bankare.

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar të gjitha llogaritë bankare të kompanive që drejtohen nga italiani i shpallur në kërkim, pjesëtarët e familjes së tij dhe administratorëve.

Prokurorët thonë se nga verifikimi i të dhënave analitike të llogarive bankare të 8 kompanive të familjes Beketi janë gjetur rreth 70 mijë euro të shpërndara në disa llogari të ndryshme.

Referuar materialit të bankave, ABCneës ka mësuar se kompanitë e familjes Beketi ndër vite kanë qarkulluar në llogaritë e tyre bankare një shumë që kap shifrën e 80 milionë eurove.

Kjo shumë për hetuesit ka ardhur në formën e transaksioneve të ndryshme, me justifikimin e shitblerjes së aksioneve, kontrata huamarrrje, pagesa të ndryshme e deri te justifikimi i të ardhurave të fituara nga procese gjyqësore.

Sipas prokurorisë, vetëm pak kohë para lëshimit të urdhër-arresteve, llogaritë bankare të kompanive të familjes Beketi janë boshatisur, duke u transferuar në llogari bankare në Itali, Londër dhe Luksemburg.

Këto transaksione janë kryer me ndihmën e të dyshuares Pranvera Gjika, drejtoreshë e degës së një banke italiane në vend. Në dosje thuhet se e dyshuara Gjika pavarësisht se kishte një vendim administrativ nga Drejtoria e Tatimeve për bllokimin e llogarive bankare të familjes Beketi, ajo ka transferuar jashtë Shqipërisë rreth 15 milionë eurot e fundit. Urdhëri i bllokimit ishte lëshuar nga Drejtoria e Tatimeve në Tiranë, pasi kompanitë e familjes Beketi i detyroheshin shtetit shqiptar rreth 770 milionë lekë.

Nga ana tjetër, në vitin 2013 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë një kallëzim penal nga italiani tashmë i shpallur në kërkim Beketi për akuzën e “gjobvënies”. Në kallëzim, ai ka pretenduar se dy biznesmenë shqiptarë, të cilët ishin kontraktues të punimeve në hidrocentralin e Kalivaçit e kanë kërcënuar duke i kërkuar rreth 2 milionë euro për të paguar.

Prokurorët thonë, se nga hetimi i kryer, rezultoi se nuk kishte të dhëna për gjobvënie, por një detyrim i papaguar nga Beketti ndaj kompanive shqiptare. Për këtë fakt, dosja është pushuar nga prokuroria.

Lajme të ngjashme

Back to top button