Fleckenstein: Zgjedhjet, mundësi e mirë për negociatat. Jo shitblerje votash

Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin Europian, Knut Fleckenstein, i konsideron zgjedhjet vendore një test të rëndësishëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në një intervistë për Top Channel, ai thotë se partitë duhet të dëshmojnë standarde, se ato nuk blejnë vota dhe se ofrojnë kandidatë të mirë dhe me integritet moral.

Zoti Fleckenstein, cilat janë shqetësimet tuaja kryesore mbi Shqipërinë?

Fleckenstein: Nuk janë shqetësime në të vërtetë. Ne mund të shohim se ka shumë përparim në fusha të ndryshme, sidomos në 5 prioritetet kyçe që kemi përmendur. Sigurisht, ky përparim mund të ishte dhe pak më i shpejtë. Por, në anën tjetër, ne të gjithë e dimë se të gjitha këto reforma kërkojnë ca kohë dhe ne duhet t’i japim kohë qeverisë dhe Parlamentit për të vendosur dhe mbi të gjitha, çfarë është dhe më e rëndësishme, që t’i zbatojnë këto reforma.

A mendoni se ky progres, përfshirë analizën tërësore të gjyqësorit, ku ende një sërë dosjesh presin për shqyrtim, është i mjaftueshëm për të përfituar një rekomandim pozitiv nga Komisioni këtë vjeshtë?

Fleckenstein: Nuk jam i sigurtë nëse një rekomandim pozitiv në vjeshtë do të siguronte në fund votat e Këshillit të BE-së. Por, gjithësesi, analiza përbën hapin e parë të nevojshëm dhe tashmë duhet vijuar me dy fazat e tjera. Fillimisht i takon qeverisë dhe Parlamentit për të bërë ndryshimet e domosdoshme që kanë më shumë rëndësi dhe më pas, hapi i tretë lidhet me zbatimin, që siç e dimë është dhe më i komplikuari.

A pajtoheni me ambasadorin amerikan në Tiranë për personat me të dhëna kriminale në krye të institucioneve shtetërore?

Fleckenstein: Po, pajtohem në njëfarë mënyre, përderisa ne e dimë se ka ende disa probleme.

A keni ndonjë emër konkret?

Fleckenstein: Nga ana tjetër, nëse shprehen kaq hapur të tilla opinione nga ambasadori amerikan, besoj se ai do të japë gjithashtu edhe emrat e veçantë, si dhe dëshmitë, sepse në të kundërt janë vetëm fjalë, çfarë ne të gjithë i dimë, përndryshe nuk do të kishim diskutuar për shembull dekriminalizimin tek anëtarët e Parlamentit, në qeveri apo në poste të tjera publike.

Ne përballemi me zgjedhjet lokale këtë të diel. Cili është mesazhi juaj ndaj shqiptarëve dhe çfarë prisni të dëshmojnë partitë politike në këto zgjedhje?

Fleckenstein: Mesazhi numër 1 është se këto zgjedhje janë një mundësi e mrekullueshme për të treguar se Shqipëria është e gatshme për të hapur negociatat e anëtarësimit, se palët mbajnë zgjedhje lokale sipas standardeve ndërkombëtare, se ato nuk blejnë e shesin vota, se kanë kandidatë të arsyeshëm dhe se rezultati përfundimtar pranohet nga të gjitha partitë.

A prisni që dekriminalizimi të trajtohet me këto zgjedhje apo në zgjedhjet e radhës për legjislativin e ri?

Fleckenstein: Ne thamë dhjetorin e kaluar se kjo çështje duhet zgjidhur, pa dyshim, për legjislativin e ardhshëm. Sigurisht, çdo ditë më herët do të ishte e mahnitshme, por kjo është data kur ata duhet të dorëzojnë projektet mbi këtë. Të dyja palët, opozita dhe mazhoranca.

Lajme të ngjashme

Back to top button