fbpx

Filluan punimet për ndërtimin e shtegut eko-rekreativ nga Gostivari deri në Vërtokë

Në prani të kryetarit të Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta, shefit të kabinetit, z.Bashkim Hasani, shefit të Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal dhe realizim projektesh, z.Pajtim Saiti, drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, z. Memedali Xhaferi, si dhe stafit të angazhuar për realizimin e projektit, edhe zyrtarisht kanë filluar punimet për ndërtimin e shtegut eko-rekreativ që do të nis nga parku i madh i qytetit dhe do të përfundojë te burimi i Lumit “Vardar” në fshatin Vërtok.

Në prononcimin për mediumet, kryetari i Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta deklaroi se: “shtegu për këmbësorë ndërtohet në kuadër të projektit “Turizmi – derë e hapur për bashkëpunim ndërkufitar” që realizohet nga Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Komunën e Dragashit, duke shtuar se: “Projekti financohet nga Unioni Evropian në kuadër të programës për Bashkëpunim Ndërkufitar ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.

“Sot fillojmë me punë të realizojmë një projekt për të cilin janë të interesuar të gjithë qytetarët e Gostivarit. Mendoj se është projekti më i rëndësishëm prej gjithë projekteve që kemi realizuar deri tani. Bëhet fjalë për ndërtimin e shtegut për këmbësorët nga qyteti i Gostivarit dhe deri në fshatin Vërtok, me të gjitha elementet për ta shndërruar në një vend turistik për të gjithë qytetarët, turistët e rajonit dhe turistët që do të vijnë nga vendet e huaja. Shtegu është me gjatësi prej rreth 10 km dhe i tëri ndërtohet përgjatë shtratit të lumit Vardar. Nga të dy anët e shtegut do të vendosen anësorë prej betoni ndërsa shtegu do të shtrohet me rërë për ecje dhe e cila ka ndikim shumë pozitiv në shëndetin e njerëzve. Përgjatë shtegut do të vendosen 200 shtylla për ndriçim publik, tabela informuese, pushimore dhe një kullë vrojtimi. Shtegu do të jetë i gjerë 2 metra dhe punët duhet të përfundojnë në një afat maksimum prej 75 ditëve. Vlera e përgjithshme e projektit është rreth 275.000 euro ndërsa vlera e investimit për ndërtimin e shtegut është 187.000 Euro. Besoj që ky shteg do të shërbejë për shëndetin e qytetarëve të Gostivarit, dhe besoj që me vënien në funksion të shtegut përreth lumit “Vardar”, qytetarët do të shfrytëzojnë për aktivitet fizik dhe se do të kenë më pak probleme shëndetësore. Besoj që në përurimin e projektit, i pranishëm do të jetë edhe ambasadori i Unionit Evropian, dhe së bashku do ta ecim në këmbë këtë shteg”, tha mes të tjerash kryetari i Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta.

Mjetet e ngelura me vlerë prej 88 mijë euro do të shfrytëzohen për përgatitjen e dy studimeve, edhe atë studimi për zhvillimin e turizmit ne territorin e Komunës se Gostivarit, si dhe studimi për bio-diversitetin e Lumit “Vardar” ne territorin e Komunës së Gostivarit. Po ashtu ne kuadër të projektit është parapara vizita studimore në Komunën e Dragashit pra në Republikën e Kosovës, si dhe promovimi i ofertave të përbashkëta turistike për këto dy komuna. Në llogari hyjnë edhe harxhimet administrative, e tjerë.

Partner implementues lokal i projektit është Shoqata e Peshkatarëve “Bash Vardar”, me seli në Gostivar.

Vënia në funksion e shtegut për këmbësorët do të shërben edhe për pacientët e shtruar në Spitalin e Gostivarit, pasi ndodhet shumë afër objektit spitalor.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close