Shteti i ka borxh vetvetes 276 milionë euro!

Mbi 200 milionë euro shteti i ka borxh vetvetes. Kështu tregon “Lista e Zezë” e publikuar nga Drejtoria për të Hyra Publike, të dhënat e së cilës tregojnë se, gjithashtu – deri në fund të muajit maj, mbi 4300 firma dhe 1100 qytetarë nuk kanë bërë pagesa tatimore, kontribute, akciza dhe tatime doganore, shkruan Koha.

Borxhi i përgjithshëm i 4300 firmave  dhe 1100 qytetarëve është 17 miliard denarë apo 276 milionë euro, prej të cilëve 212 milionë euro janë borxhe që firmat shtetërore nuk kanë paguar tatime, kontribute, akciza dhe doganë aq sa është edhe minusi në arkën buxhetore për pesë muaj e parë. Në mesin e 20 kompanive shtetërorë që janë borxhlinj më të mëdhenj renditet ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” me 6.5 milionë euro, “Pyjet e Maqedonisë” me 5.2 milionë euro, “Komunalec” nga Gostivari me 2.3 milionë euro borxh, si dhe Radiotelevizioni i Maqedonisë me 1. 6 milion euro borxh.

Si kompani tjera shtetërore që kanë borxh ndaj shtetit është dhe “Ohis”, “Euro Komopozit”, si dhe “EMO”. Në listë si borxhlinj shihet edhe Ndërmarrja publike për menaxhim me objekte sportive me borxh prej 400 mijë euro, NP “Hidrosistemi Zletovica” me 74 mijë euro, si dhe Qyteti i Shkupit me borxh në vlerë prej mbi 404 mijë euro. Në “Listën e Zezë” gjendet edhe Agjencia për Fluturime Civile me borxh prej 10,7 milionë euro, ndërsa nga firmat si borxhli më i madh ndaj shtetit, kryeson “El Don Kastilo Angel” me borxh prej 18.5 milionë euro dhe “Industrija El Asteka”. Sipas ‘Listës së Zezë”, struktura e firmave private që i kanë borxh shtetit në vlerë deri më 4800 euro, dominojnë kompanitë ndërtimore, kompanitë e duhanit, kompani farmaceutike, poliklinika private, hotele, kafeneja,si dhe shumë firma tjera që kryejnë shërbime konsultative.

Nga mediat private, si borxhlinj më të mëdhenj të tatimeve dhe kontributeve është televizioni Kanal 5 plus, Alfa TV, TV BTR.  Në “Listën e Zezë”, si borxhlinj më të mëdhenj deri në fund të muajit prill janë vendosur edhe 1100 persona fizikë, të cilët kanë borxh ndaj shteti në vlerë prej 2000 eurove.

Lajme të ngjashme

Back to top button