Shkup: Qëndrime të betonuara

Partitë politike kanë vazhduar me akuzat lidhur me dështimin e bisedimeve në Bruksel, ndërkohë që organet e tyre drejtuese po forcojnë pozicionet duke thelluar edhe më shumë dallimet dhe rrjedhimisht duke pakësuar gjasat për zgjidhjen e krizës së rëndë në të cilën ndodhet vendi.

VMRO DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv që ka përfunduar punimet të dielën vonë, për dështimin e bisedimeve edhe njëherë ka fajësuar Lidhjen Social-Demokrate të opozitës.

“Ne si shtet kemi ardhur në situatë që një parti e cila vazhdimisht humb në zgjedhje të shantazojë tërë shtetin dhe të nxis krizë politike duke shpresuar në marrjen e pushtetit, pa zgjedhje, pa marr mandatin e popullit, pa mbajtur llogari për çështjet më të rëndësishme të vendit, apo interesat e qytetarëve”.

“Ajo po rrënon imazhin e shtetit para faktorit ndërkombëtar, po rrënon ekonominë e vendit me qëllim që dështimet t’i mvishen qeverisë. Është e qartë se ajo tenton të prish marrëveshjen e dy qershorit, të prish gjithçka që është arritur deri më tani. Pavarësisht kësaj, ne jemi të gatshëm në çdo kohë të përballemi me ta në zgjedhje”, ka deklaruar Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE-ja.

Nga Lidhja Social-Demokrate në mbledhjen e së hënës që pritet të zgjasë deri në orët e vona do të vendosin për hapat e mëtejmë.

Opozita ndërkohë ka paralajmëruar nisjen e publikimit të dëshmive të reja nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve. Zaev pretendon se posedon edhe shumë fakte tjera për siç shprehet, punën kriminale të pushtetit aktual të cilin e akuzon për dështimin e bisedimeve të fundit në Bruksel.

Nga LSDM-ja thonë se janë të gatshëm për vazhdimin e bisedimeve dhe formimin e një qeverie kalimtare, por pa kryeministrin aktual, Nikolla Gruvski.

“Zgjedhjet e reja nuk mund ti organizoj një qeveri me një kryeministër i cili është fajtori kryesor për të gjitha veprimet kriminale që kanë ndodhur vite më radhë në Maqedoni”, thonë nga LSDM-ja e cila ka marrë mbështetjen e të gjitha partive të vogla opozitare si dhe të dhjetëra organizatave joqeveritare për të udhëhequr bisedimet eventuale me kryeministrin, Nikolla Gruevski.

Por, bazuar në qëndrimet e partive bisedimet vështirë se do të nisin ndërkohë që në opinion janë shtuar kritikat edhe ndaj përfaqësuesve ndërkombëtar, në veçanti ndaj komisionerit Johanes Hahn se gjoja mban anën e kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Ismet Ramadani nga Këshilli Euroatlantik dhe njohës i çështjeve politike thotë se dyshimet janë rritur kur Hahn doli me qëndrimin se zgjedhjet e kaluara kanë qenë kryesisht të mira në kohën kur opozita çdo ditë publikon dëshmi për falsifikimin e tyre.

“Me deklaratat e tyre lanë mjaft dyshime në opinion se janë të përcaktuar të ndihmojnë njërën palë. Johanes Hahn kur ishte në SHBA dha një deklaratë duke vlerësuar raportin e OSBE-së, sigurisht se pa e lexuar, pra në mënyrë paushall”, tha Ramadani duke ngritur nevojën për kyçje serioze dhe në një nivel shumë të të lartë të diplomacisë amerikane në zgjidhjen e krizës politike.

Ai thotë se ndërhyrja amerikane ka qenë vendimtare në shumë raste të krizave në Maqedoni, ndërsa veçon atë të konfliktit të vitit 2001.

“Unë mendoj se duhet një kyçje e nivelit më të lartë të SHBA-ve, me një përfaqësues dhe ndërmjetësim në stilin e tyre të njohur. Ata janë shumë pragmatikë dhe praktikë. Për të identifikuar shumë shpejtë dhe qartë fajtorin, këtë mund ta bëjë vetëm politika amerikane andaj vlerësoj se kjo është më se e domosdoshme”, thotë Ismet Ramadani, Kryetar i Këshilli Euroatlanik të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button