K.K.

Nuk e di a e ruan dikush librin e leximit të klasës së pestë të vitit shkollor 56/57, në të ciline ka qenë  një copë leximi me titull “Bukuria e gjuhës shqipe”. Nuk më kujtohet autori i këtij libri, por më kujtohet mirë se arsimtar të gjuhës shqipe e kemi pasur Kaplan Kalushin (në vazhdim K.K.. Ai e kishte një grua të bukur, shqiptare, po ashtu arsimtare që na e jepte lëndën Punë dore. K. K. na e lexoi këtë copë leximi për bukurinë e gjuhës shqipe, duke u kujdesur për intonacionin dhe ngjyrën e zërit dhe ne nxënësit e ndiqnim gojëhapur dhe të gjithë, secili në mënyrën e vet, “u shpërndamë nëpër sokakët misteriozë të bukurisë së paskajshme të gjuhës shqipe.

Më kujtohet si ecte ngadalë mësuesi K. K. në klasë dhe lexonte, ndërsa hapat e tij të qetë duhej të ishin prekla fine të cilat e mbajnë taktin e tekstit, i cili i kapërcente kufijtë e një teksti për të cilin thjesht  themi se është i bukur.  Kështu fjalët e “Bukurisë së gjuhës shqipe” hynin padiktueshëm në viset e poezisë. Çdo fjalë e shqiptuar e mësuesit e kishte detyrën e saj të magjishme të jetë në shërbim të botës magjike të poezisë dhe të na i bëjë të dukshme dimenzionet e paskajshme epike e lirike të gjuhës sonë me të vërtetë të bukur shumë. Çdo fjali e tekstit kumbonte si një muzikë kozmike dhe dëshmonte madhështinë e gjuhës së Nolit e të Fishtës.

Është e pamundshme në këtë tekst të shkurtër të bëhen të kapshme të gjitha ato variacione të bukurisë kur ne si nxënës i përjetonim derisa bridhnim nëpër peizazhet e papara të gjuhës  shqipe… Çdo kënd i sokakëve të ngushtë, çdo pemë, çdo dru, bari, lulet e fushës me plot ngjyra, burimet, përrenjtë e malit, lumenjtë – na flisnin qetas, na pëshpëritnin me gjuhën tonë amtare plot nota lirike, kurse zogjtë këndonin gëzueshëm thuajse u bashkoheshin vajzave që i ujisnin lulet kopshteve dhe ëndërronin dashurinë.

Ktheheshim nga shkolla në shtëpi plot ngrohtësi të cilën dinë të na e falin vjershat e Ndre Njedës, Naim Frashërit dhe Jeronim de Radës, që m’i kujtonin magjitë të cilat na i ofrojnë skenat e visoreve tona lirike të përshkruara ëmbëlsisht  në këngët popullore kur flasin për takimet e të rinjve prapa gëmushave të trëndafilave. Se, sa herë kur i lexoja vjershat e këtyre poetëve të mrekullueshëm dhe i dehur nga bukuria e tyre, derisa bridhja pafundësisë së gjuhës shqipe, gjeja shenja të imta të cilat m’i zbulonin porositë e koduara  të çdo fjale të shqiptuar nga nënat tona të shtrenjta e të dashura. Njëra nënë shfaqej si poeteshë e vërtetë, tjetra plot urtësi, kurse e treta si zanë dhe që të gjitha së bashku e ngrinin në imagjinatën tonë lart, lart malin e stërmadh të gjelbër me tre breza: i pari brez me gështenja ofronte ëmbëlsinë e vendit, i dyti me dushk  e ah – freskinë e burimet, kurse i treti përmbi këto pyje të mëdha shfaqej i gjerë me blerina me kullota si ato të Lugjeve të Verdha. Bjeshkët tona.

Të jesh aq i lumtur në një mjedis të cilin pushteti e shikonte shtrembër dhe me mosbesim e urrejtje vetëm për shkak se njerëzit stoliseshin me ylberet e gjuhës së vet amtare, çfarë do të thotë kjo, ç’është kjo urrejtje? –  mendoja. Dhe, kështu vështroja epikën e bjeshkëve tona duke ndenjur në dritare në të cilën mbështetej një degë qershie plot lule të bardha, kurse kjo pyetje më përsëritej: çfarë do të thotë kjo, ç’është kjo urrejtje? Nga gryka e malit nëpër të cilën kalonte lumi i blertë malor vinte hukama e bjeshkës që thoshte: gjuha e ëmbël shqipe, gjuha e ëmbël shqipe…

Kënaqesha me fjalët që çelnin  në vargjet e këngës së trimërisë së lavërtarit i cili këndonte në kopshtin fqinj, kënaqesha me ligjërimin e gurëve pranë të cilëve kaloja çdo ditë dhe qaja me ngashërim kur e shikoja se pushteti e kishte thyer pamëshirshëm gurin me shenjë, me kod që ruante fshehtësinë e trokut të kalit kur dëgjohet nga dritaret në mëngjes herët. Ishte një shkëmb që kishte formë të paparë: i madh thuajse sa një mullar e i prerë si me thikë deri në gjysmë dhe i bërë si një ulëse e veçantë e madhe. Legjenda thoshte se atë e kishte prerë Skënderbeu i fuqishëm me shpatë deri sa kthehej nga Nishi për në Krujë. Aty trimi ishte ulur me trimat e tij sa për t’i lagur buzët me verë vendëse dhe të pushojë pak. Isha i bindur se vetëm Skënderbeu ka pasur atë fuqi sa ta presë shkëmbin me shpatën e tij të kreshnikut dhe ta bëjë atë ulëse si një kënd prej nëntëdhjetë shkallësh. Sa herë kaloja pranë këtij vendi ku ishte shkëmbi, gjithmonë më kujtohej copa e leximit “Bukuria e gjuhës shqipe” dhe më vinte keq edhe për mësuesin K. K. të cilin pushteti i atëhershëm e kishte burgosur me akuzën e ashtuquajtur: veprimtari armiqësore.

Pas shumë viteve, në vitet e pjekurisë e të një përvoje jo të vogël, përjetova një dëshpërim të paparë. Ja se pse:

E pashë një shok timin të klasës nga ato vite të klasave të larta fillore që i kishte marrë furtuna e së kaluarës. U kënaqëm, si gjithmonë duke folur për bukuritë e gjuhës shqipe, që të dytë e kishim pasion. I qortuam akademitë dhe institutet pse lejojnë që gjuha të përjetojë erozion katastrofal, duke lejuar që kapitali leksikor, sintaksor dhe folklorik të tretet në vërshimet e ndryshimeve shoqërore e politike. Me këtë rast m’u kujtua mësuesi K. K. dhe e përmenda.duke i përkujtuar shokut të klasës “Bukurinë e gjuhës shqipe”. Ai vetëm e zhvendosi cigaren nga njëra anë e buzëve në tjetrën, priti disa sekonda dhe më tha se me një llum të tillë si K.K. fare nuk donte të kishte punë dhe as që donte t’ia dëgjojë emrin.

Kjo fjalë llum i hodhi një mbulojsë të zezë gjithë peizazhit, i heshti këngët, e ndrydhi fjalën shqipe. U preka shumë.

I befasuar dhe i habitur e pyeta shokun e klasës pse e quajti mësuesin e dikurshëm llum, kur me vite K. K-në e konsideronim si njeriun që na i hapi dyert  t’i shohim e t’i ndjejmë bukuritë e gjuhës shqipe, të rritemi duke i hulumtuar ato bukuri dhe si njeri që e kishte shkruar një roman me titullin provokues Tradhtari. Shoku im i klasës më tha: “Hajt ta ndërrojmë temën e bisedës”!

Pastaj unë shkova drejt e te burimi, ashtu siç duhet bërë gjithmonë dhe kërkova nga ai të më japë shpjegime të hollësishme. Shoku im i klasës u habit shumë pse isha aq i vendosur të marr vesh se çka është puna me K. K.

“Ti, s’i duket, s’ditke asgjë për transformimin e K. K. Pastaj u ndal, më shikoi një copë kohë ashtu zbrazur. Ku ta di se çfarë bluante me mend para se të thoshte: ”A mund ta marrësh me mend se K.K. ia kalon shumë herë Halit Tërnavcit për ligësi, ai është hija e Ali Shukrisë dhe e Esat Pashë Toptanit“.

E shpreha habinë time i tronditur: ai të jetë një Ali Shukri?  I kisha parasysh kujtimet e mia nga klasa e pestë dhe nga copa magjike e leximit me titull “Bukuria e gjuhës shqipe” dhe diçka më shtynte të mos besoj që K. K-ja. Të jetë një Ali Shukri e përtej.

“E di çka”?… tha shoku im i klasës kur më pa ashtu të mërzitur. “Nuk është e ndërlikuar të të jap shpjegime. K. K.”, vazhdoi ai, “është boria me e bezdisshme e fashizmit serb, është tradhtar, renegat. Ai është mercenar i rrymës donkishotiane i cili për pak para merr yrysh me kohortat serbe për t’i shkatërruar ëndrrat tona, qenien tonë kombëtare, krenarinë tonë, historinë, kulturën tonë. Për të sot gjuha shqipe është një asgjë, kurse edhe Zotin e shpall serb!”

“A deri aty paska mbërritur puna, a? pyeta dhe mbeta pa tekst. Ndjeja një hidhëti në gojë. Një siklet. Turpi më pushtoi.

“Ndoshta është vetëm një grimë kjo që ta tregova për të”, tha ai.

Thashë:

“A është e mundur që njeriu të bjerë aq poshtë”?!

“Po mor shoku im”, më tha shoku im i klasës, “neve kësi budallenjsh e budallallëqesh gjithmonë na kanë ndodhur. Si K. K. ka pasur dhe do të ketë. Ty të kujtohet Ali Shukrija, e di Esat Pashën, e di po ashtu sa jetën e kanë dhënë njerëzit tonë në fushëbeteja për interesat e huaja, si sot që e japin jetën në fushëbetejat e absurdit”…

“Eh”!… psherëtiva unë.

„Hajt t’i harrojmë tradhtarët, renegatët e mercenarët“, tha ai. “I kemi pasur dje, i kemi edhe sot. Hajt të shihemi më shpesh të flasim për gjuhën tonë të bukur, për gjuhën tonë hyjnore, të cilën do ta mbrojmë  me mish e me shpirt, për letrat shqipe, se atdhe tjetër të tërë s’kemi përveç gjuhës“. T’i lëmë këta ndyracakë të humbin në humnerat e historisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button