Shkëndija i fillon me fitore kontrollueset

Shkëndija ka shënuar fitore me rezultat 1:0 në ndeshjen e parë kontrolluese në kuadër të përgatitjeve në Slloveni, duke mundur ekipin gjeorgjian Dinamo Tbilisi, ndryshe ish-fitues i Kupës së UEFA-së në vitin 1981. Një gol i të riut Bashkim Lama i ka dhënë Shkëndijës fitoren në këtë miqësore që ishte e para për të dyja ekipet në fazën përgatitore para paraqitjeve që ekipet i presin në eliminatoret e Liga Evropës.

Ndeshja solli futboll interesant me Shkëndijën që krijoi disa raste të mira shënimi, por pa realizim, por edhe me gjeorgjianët që treguan se posedojnë cilësi dhe që realisht krijuan rastet më të mira për të shënuar duke goditur në tre raste kornizën e portës ‘kuqezi’, ndërsa në fund të takimit me pritje të mrekullueshme u dallua portieri i ri Enes Azizi. Në pjesën e parë Shkëndija luajti me ekip më ‘të pjekur’, me Cuculin që shënoi rrikthimin në fanellën ‘kuqezi’ e që luajti si qendërmbrojtës, ndërsa ekipin e drejtoi Jeton Beqiri me Shpëtim Duron që ka arritur në Slloveni por që punës do t’ia fillojë nga e marta.

Në pjesën e dytë logjikisht duke pasur parasysh se kjo ishte vetëm ndeshja e parë, ngadalë ekipi freksohej me forca të reja duke provuar me këtë rast disa variante. Në fazën e fundit kur Shkëndija në fushë luante tërësisht me ekip të ri, Dinamo vendosi dominim në lojë dhe krijonte raste të pastërta shënimi, duke i mundësuar me këtë rast të theksohet me potencialin e tij portierit Enes Azizi që ndali disa shanse të 100%. Dhe kur gjeorgjianët nuk shfrytëzuan mundësitë e tyre, Shkëndija sjell ndëshkimin në minutën e 87-të kur Lama dhe Bojku kombinojnë për mrekulli, ndërsa i riu Bashkim Lama me goditje të saktë tund rrjetën kundërshtare dhe shënon golin debutues në ekipin e parë të Shkëndijës. Në fund fitorja i takoi Shkëndijës, por që len hapsirë për shumë përmirësime, pritet të kthehet sulmuesi Bojan Vruçina që sot vetëm vraponte lehtë, ndërsa nga e marta ekipi do të vijojë përgatitjet me trajnerin e ri Shpëtim Duro. Gjithsesi kjo ishte vetëm ndeshja e parë, te futbollistët ndjehej lodhja nga faza e rëndë përgatitore, ndërsa në vazhdim do të punohet në ngritjen e nivelit në kërkim të formës optimale.

Lajme të ngjashme

Back to top button