Gostivar: Marrëveshje për perspektivë më të mirë të qytetarëve

Në kuadër të projektit “Rrjeti për Shkathtësitë për Punësim të të Rinjve – “YES Netëork,” të inicuar nga USAID-i, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta së bashku me përfaqësues të institucioneve të kyçura në këtë projekt, inauguruan marrëveshjen për themelim të Këshillit Ekonomik-Social Lokal në  Komunën e Gostivarit.

Me këtë rast, kryetar i Komunës Nevzat Bejta, e vlerësoi tejet të dobishme dhe të rëndësishme formimin e Këshillit Ekonomik-Social Lokal, nëpërmjet së cilit do të artikulohen projekte dhe do të merren vendime pozitive në interes të shoqërisë në përgjithësi, dhe që do të funksionon si trup këshillëdhënës në suaza të Këshillit të Komunës së Gostivarit.   

“Funksionimi i Këshillit Ekonomik-Social Lokal, në  Komunën e Gostivarit, do të jetë në interes të qytetarëve, dhe unë si kryetar i jap mbështetje të plotë. Deri tani pesë komuna kanë nënshkruar këtë marrëveshje, dhe ne jemi komuna e gjashtë që bëhemi pjesë e këtij projekti. Misioni i Këshillit Ekonomik-Social Lokal në  Komunën e Gostivarit, do të jetë aftësimi dhe trajnimi i gjeneratave të reja për punësim, monitorimi i gjendjes aktuale të tregut të punës dhe mundësia e gjetjes së vendeve të lira për punësim. Me këtë, të rinjtë e Gostivarit nuk do të presin të gjejnë punë nëpërmjet Agjencisë për Punësim, por do të aftësohen vetë. Besojmë se me hapjen e  Këshillit Ekonomik-Social Lokal, ne do të arrimë të zvogëlojmë papunësinë. Kjo është një përvojë e qyteteve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi kryetari Bejta.

Pjesë e projektit është edhe hapja e qendrës së karrierës në Agjencinë e Punës dhe tre shkollat e mesme komunale, të cilat veç më janë vënë në funksion. 

Në ceremoninë e  mbajtur në Sallën e Këshillit komunal, fjalë rasti mbajtën edhe Michael Stievater, drejtor i zyrës së USAID për Demokraci dhe vetëqeverisje lokale, si dhe Natasa Buleska Murdzeva, përfaqësuese e USAID në Maqedoni, të cilat mes tjerash folën për funksionet që do të ketë kjo qendër.

Lajme të ngjashme

Back to top button