De Biasi: Januzaj u soll keq, suksesi i Shqipërisë nga uniteti

Në situata të ndryshme dhe në një moment magjik për Shqipërinë, trajneri italian De Biasi është rikthyer që të flasë sërish për refuzimin që Adnan Januzaj i bëri fanellës kuqezi.

E ndërsa para pak vitesh ishte, Januzaj emri i ri që po lakohej në ekipet më të mëdha në botë, tashmë që lojtari me origjinë nga Kosova është sfumuar, është ngritur emri i kombëtares shqiptare, që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve me lojën e bukur dhe rezultatet që ka arritur, e fundit fitorja me Francën në Elbasan.

Trajneri De Biasi në një intervistë për mediat italiane i pyetur për çështjen ‘Januzaj’ deklaron se “Ai zgjodhi Belgjikën për babanë, i cili kërkonte më shumë famë. Me ne nuk ka negociuar asnjëherë, është sjell keq”.

Tekniku ka deklaruar edhe më parë se familja Januzaj ka refuzuar përpjekjet e tij për të biseduar. Ndërsa tashmë Januzaj është injoruar edhe nga kombëtarja belge, pasi po kalon një moment të keq në Angli te Manchester United.

Në vazhdim De Biasi ka folur edhe për mbrojtësin Hysaj, duke e sponsorizuar për kalimin nga Empoli te Napoli. “A është gati Hysaj për Napolin? Po, pa dyshim.

Eshtë shumë i fortë dhe i shpejtë. Nëse shkon në Napoli, atje ndodhet Sarri, një trajner i madh që e njeh atë mirë”, deklaron De Biazi. Në vazhdim të intervistës, De Biasi është ndaluar edhe te suksesi i Shqipërisë vitet e fundit që kulmoi me fitoren me Francën.

“Sot, ju mund të luani mirë kudo futboll, jo vetëm në vendet më të pasura. Rritja e një kombëtareje të vogël si Shqipëria ka të bëjë me organizimin dhe mentalitetin kombëtar. Ne jemi një grup i përulur, që punon për të mirën e një kombi shumë krenar.

Ne kemi një grup djemsh të fortë në dispozicion. Në Shqipëri kam zbuluar diçka të bukur dhe të çuditshme në mentalitetin e lojtarëve se në qoftë se ata përfundojnë në stol, nuk ndiejnë zili për ata që luajnë.

Ata besojnë në idenë e unitetit dhe e dinë se mund ta dërgojnë për herë të parë Shqipërinë në finalet e një Kampionati Europian” mbyll intervistën italiani.

Lajme të ngjashme

Back to top button