Letër e hapur drejtuar kryetarit të Kuvendit të BFI në Maqedoni

Ekselencës së Tij –
Haki ef. Agushi

Është ndiesi jo e këndshme, tepër e sikletshme që kolegut, mikut, bashkëpunëtorit dhe personalitetit Tuaj, H. Haki ef. Agushi, t’Ju drejtohemi në këtë formë, përmes letrës publilke. Por, e dimë se, takimi ynë me Ju, sy më sy, do të përcillej me reperkusione të egra të Sulejman Rexhepit mbi Ju.

Ju më së miri e dini se çfarë është në gjendje të bëjë i ashtuquajturi kryetar i BFI-së kur janë në pyetje intereset e tij meskine. Sanskioni më i paktë do të ishte flakja nga puna, edhe atë me procedurë të shpejtë, pa respektuar kurrfarë standardi njerëzor e institucional.

Në fakt, këtë kënaqësi Ju nuk do t’i a jepnit Sulejman Rexhepit, sepse tashmë Ju jeni pensionist. Për shkak të karrierës, për shkak të afinititeve si dhe për shkak të peshës së Juaj në jetën e përgjithshme fetare islame në vend, Ju jeni në krye të Kuvendit të Maqedonisë. E dimë që, plotësisht jeni të vetëdishëm se jeni kryetar fare i rastësishëm, tepër formal, dhe aspak i kënaqur me pozitën e Juaj si dhe me mosrespektin ndaj Jush në krye të një organi të BFI në RM.

  1. Kryetar, për hirë të respektit të sinqertë që e kemi ndaj Jush, ne të Nismës për reforma në BFI, ju përkujtojmë se, për këto vite keni kaluar nëpër situata të tmerrshme në të cilat, Ju, pa vetëdije dhe, në emër të besimit të plotë, keni udhëhequr me mbledhje skandaloze, keni miratuar dhe keni kaluar çështje të cilat thellë në ndërgjegjen e Juaj ju brejnë dhe nuk ju lënë të qetë. Edhe më keq keni kaluar këto javë kur trishtueshëm jeni vënë në krah të uzurpatorit të postit të kryetarit të BFI-së në RM. Jemi të vetëdijshëm se këto hapa i keni ndërmarrur me qëllim që ta heshtni një situatë tepër të papëlqyeshme madje edhe skandaloze. E dimë që pas këtij shfrytëzimi të pandershëm disa herë e keni gjetur veten në situatë të palakmueshme të krijuara nga injorimi përçmues i Sulejman Rexhepit që e ka shprehur ndaj Jush.
  2. Kryetar, Ju, këto ditë, në një ndeje, vetë e keni pranuar se, për koto vite keni shkelur plotë herë Kushtetutën e BFI-së, nuk keni punuar sipas këtij akti më të lartë dhe keni shkelur rregullore.

Ekselencë, na vjen shumë keq, kemi tepër respekt për Ju por, e kemi patjetër t’ju njohtojmë se, edhe Ju, si kryetar i një organi legjislativ i BFI në RM do të përfshiheni me dëshmitë e Juaja nëpër proceset gjyqësore që i kemi ngritur. Gjithësesi që, sa më i sinqertë të jeni në procese gjyqësore aq më lehtë do të kaloni. Pra, duke e njohur natyrën e Juaj të sinqertë, Ju, në cilësinë e dëshmitarit, një ditë do të dëshmoni drejt dhe qartë mbi shumë shkelje, si: mbi shkeljen e procedurës për zgjedhje të Kryetarit të BFI-së në kundërshtim me Kushtetutën, mbi zgjedhjen dhe emërimin e muftinjëve në kundërshtim me Rregulloren e miratur nga Kuvendi i BFI në vitin 2009 etj. Sipas Kushtetutës së BFI-së, Kuvendi është organ më i lartë juridiko-finansiar dhe në mbledhje të përbashkët me Rijasetin e BFI-së miraton Kushtetutën e BFI-së, ndryshimet dhe plotësimin e saj, miraton rregullore pune, plan-programin vjetor dhe raportin e punës së Rijasetit të BFI-së etj. Nga e gjithë kjo, padyshim se mbahet edhe përgjegjësi. Kuvendi nuk mund të jet thjesht një organ ku formalisht miratohen rregullore, por mban edhe përgjegjësi nëse të njëjtat nuk respektohen! Sëkëndejmi, një ditë, krahas të tjerave, do të dëshmoni mbi tëhuajësimin e vakëfit, mbi shpenzimet e bonove me vlerë, të cilat, sipas normave islame duhej të shtonin vakëfin e BFI-së dhe përjetë të jenë në shërbim të muslimanëve e jo të treten një herë e përgjithmonë, do të raportoni mbi proceduren e shkarkimit të Muftiut të Shkupit, mbi emërimin njëanshëm të Rexhep Jusufit në këtë Muftini në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, rregulloren e zgjedhjes së Muftiut etj, ashtu siç do të raportoni mbi kalimin e buxheteve përplot me kriminalitet po edhe mbi formimin e komisioneve familjare të Sulejman Rexhepit, komisone këto që kanë dëmtuar padhimbshëm buxhetin e BFI në RM.

Ekselencë, jemi thellësisht të bindur se kjo gjë Ju brengos, ua brenë ndërgjegjen dhe se as vetë nuk jeni të kënaqur si Kryetar Kuvendi me degradimin e këtij posti dhe të këtij organi nga ana e Sulejman Rexhepit. E dimë që jeni duke e menduar edhe dorëheqjen. Ne Ju inkurajojmë që sa më parë ta ndërmerrni këtë hap. Nuk ju bëjmë kurrfarë presioni, kurrfarë shantazhi, madje do ta ruajmë me xhelozi respektin që e kemi për Ju si hoxhë dhe personalitet fetar islam në vendin tonë. Vetëm ky respeskt na motivoi që t’Ju drejtohemi me këtë letër të hapur.

Duke Ju kërkuar falje për ndonjë shqetësim eventual, duke shpresuar në mirëkuptimin Tuaj, Ju përshëndesim me Esselamun alejkum!

Ibrahim ef. Shabani

Mufti i BFI – Shkup dhe

kryetar i Nismës për reforma në BFI

Afrim Tahiri

ish Sekretar i Përgjithshëm i BFI-së

anëtar i komisioneve për përpilimin e

Kushtetutës dhe rregulloreve të BFI-së

Lajme të ngjashme

Back to top button