Verë pa ZJ(E)ARRE!

Të nderuar lexues,

Kam përshtypjen që po bëhem banal së trajtuari temën e njëjtë në disa dalje të miat, e që kryekëput ka të bëjë me çështjen jo dhe aq të thjeshtë (sa mund t’u duket disave, fatkeqësisht) mbi (sh)përdorimin e gjuhës shqipe nga institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë.

Sa u takon subjekteve tjera, si p.sh. firma të imëta, ndërmarrje të vogla e të mesme, dyqane zanatesh, etj. për këto as që e kam nijet të shkruaj sepse edhe këta nuk i lë “krenaria” e madhe dhe bindja se i dinë të gjitha dhe duke menduar se do t’i bien nën këmbë ndonjë të dituri e ta pyesin se si do të kishte qenë e drejtë të shkruhet një fjalë a shprehje, heqin dorë nga kjo dhe ia fusin si… Por kjo është një temë pak më ndryshe për të cilën gjithsesi do të shkruaj në vijim.

Prandaj, po i kthehem shkakut kryesor që më nxiti të shkruaj kësaj radhe, dhe i cili ka të bëjë me disa materiale informative – këshilluese të cilat Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar t’ua shpërndajë qytetarëve të vendit tonë. Në to, shprehja Verë pa ZJARRE është e shkruar në tre gjuhë, gjoja për të promovuar karakterin shumetnik dhe shumëgjuhësh të vendit, ndërsa si për bela, tallja e përtallja me atë që për mua është vlera më e madhe e një kombi – gjuha, duhet të ndodhë bash me gjuhën shqipe. Sa e çuditshme, apo jo? Si nuk bëri vaki të ndodhin kësi pisllëqesh me maqedonishten, bie fjala? A nuk ka asnjë shqiptar të ditur në MPB për t’ua tërhequr vërejtjen për këto anomali hartuesve të këtyre materialeve, apo thjeshtë edhe ata e marrin vesh kështu si ne, nga mediumet?  Fenomen për t’u hulumtuar edhe ky!

1

Vazhdojmë më tej.

Para ca ditësh më ranë në duar librat (socialë) të klasës së gjashtë të cilat, siç e dimë, dorëzohen nga një nxënës (që kryen klasën gjegjëse) te tjetri që duhet të fillojë në të. Këtu ka më tepër se një problem që duhet trajtuar.

E para, kujdesi ndaj librave. Nuk mundem të paragjykoj për kombet tjera, por nga ajo që shihet, NE jemi ndër të rrallët në botë që dashurinë ndaj librit dhe dijes e kemi vënë në fundin e listës së prioriteteve tona gjatë jetës, ndoshta edhe nuk e kemi fare. Më keq se kaq s’ka ku shkon. Shikoni fotot e mëposhtme.

2

3

E dyta, përcillni pjesët e rrethuara në fotot e mëposhtme dhe shihni se në çfarë mënyre amatore ndonjë xhahil i ka përkthyer ato fjalë për fjalë (ose sipas radhitjes e dizajnit) nga maqedonishtja në shqip:

4 5

Me siguri edhe këto nuk janë vërejtur nga tanët në ministrinë e arsimit, ose ndoshta janë konsideruar gabime të vogla, ku ta dish!

E treta, këta libra (ose edhe të tjerë, sepse përfundimisht na duhen të tjerë) duhet, sipas mendimit tim, të jenë në dispozicion edhe për t’i blerë të reja në librari, ashtu që projekti i famshëm (i dështuar si dhe shumë të tjerë) “libra pa pagesë” le të shërbejë për kategoritë vërtet sociale të vendit, sepse kujtoj që nëse dikush ka të holla për të blerë një pako cigare në ditë, do të ketë edhe për t’u siguruar libra të ri fëmijëve të tyre. LIBRA, JO HELM!

Lajme të ngjashme

Back to top button