Nikolla Poposki: Na duhet një afat konkret kohor kur do të jemi pjesë e BE-së

Përfundimi i takimit i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI), që mbahet në Ohër në kuadër të kryesimit të Maqedonisë me CEI-n, ishte se “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një të ardhme në BE”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një të ardhme në BE dhe ajo e ardhme përcakton edhe perspektivën e vendeve të rajonit tonë. Kjo e ardhme duhet të plotësohet me një afat kohor të qartë. Pa një kuadër të tillë kohor do të zvogëlohet kredibiliteti i kësaj të ardhmeje të përcaktuar evropiane, e cila përhapet në kuadër të procesit të Berlinit dhe të gjithë besojmë se do të konfirmohet në Konferencën e ardhshme në Vjenë në muajin gusht”, ishte përfundimi i ministrave të Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Austrisë dhe Italisë në një takim pune me homologun e tyre maqedonas, Nikolla Poposki.

“Theksoj rëndësinë e afatit kohor për shkak se është adresuar mesazhi se për një afat të shkurtër asnjë nga vendet tona nuk do të hyjnë. Afatshkurtër është mandati i këtij Komisioni Evropian. Por, ne duhet të kemi një lloj kuadri që do të na japë horizonte në cilën periudhë kohore ne mund të presim që vendet të bashkohen në Bashkimin Evropian dhe kjo do të rrisë fizibilitetin e kësaj ideje”, deklaroi Poposki.

Pas takimit ministri Poposki informoi se ka diskutuar edhe fenomenin e emigracionit, një problem që përballen të gjitha vendet e rajonit, sidomos ato që ndodhen pas korridorit nga Greqia në vendet e Evropës Perëndimore. “Përpjeke të mëdha janë investuar në BE dhe atë çka drejtojmë prej këtu si një mesazh është se ne duhet të kemi një strategji gjithpërfshirëse, që do tëp përfshijë Ballkanin Perëndimor për t’u marrë me sfidën serioze të migrimit”, theksoi Poposki.

Sipas Poposkit, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në drejtim të Axhendës së Berlinit. “E presim konferencën e Vjenës, ku tema kryesore do të jetë lidhja e infrastrukturës në rajon si një faktor kryesor për zhvillimin ekonomik dhe një marrëdhënie më të mirë mes vendeve në rajon. Në këtë kontekt, do të përcaktohen dhe disa projekte rajonale të cilat janë identifikuar si prioritete dhe për të cilat do të konsiderohen pjesë të fondeve të mobilizuara nga institucionet financiare të BE-së dhe ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me energjinë dhe udhëtimet në korridoret rrugore dhe hekurudhore në rajon”, deklaroi ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Poposki.

Lajme të ngjashme

Back to top button