Kuvendi i Kosovës pritet të themelojë komision hetimor për Kumanovën

Rasti i Kumanovës vazhdon të përcillet me enigma të ndryshme. Derisa Agjencia e Inteligjencës insiston se ka informuar Qeverinë për lëvizjet e kosovarëve në Maqedoni, shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, arsyetohen se nuk kanë ditur asgjë.

Megjithatë, këto deklarata kontradiktore dhe të vërtetën mbi neglizhencën e Qeverisë, pritet ta hetojë një komision hetimor të cilin do ta formojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, raporton KTV.

Ky komision pritet të përpilojë një raport të detajuar mbi informacionet që ka pasur ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë para se të ndodhte aksioni në Kumanovë.

Komisione të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, mirëpo ato nuk është se kanë funksionuar vërtet.

Por, krijimi i një komisioni hetues shihet si një hap i domosdoshëm, përcjell koha.net. Opinionisti, Shpend Kursani, ka rekomanduar që të niset një nismë për ndryshimin apo krijimin e ligjit për përdorimin e simboleve të ndryshme. Sipas tij, përdorimi i stemës së UÇK-së duhet të ndalohet me ligj dhe të jetë i dënueshëm për të gjithë ata që e keqpërdorin për çfarëdolloj qëllimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button