NEBULOZA POLITIKE TURKE “2015”

Siç dihet, Turqia, si trashëgimtare parësore e një mega-shteti historik, e Perandorisë Osmane, përbën një aktor të rëndësishëm në Ballkan dhe më gjerë. Kjo në veçanti vlen pas ardhjes në pushtet të Partisë së Drejtësisë dhe Mirëqenies – AKP (2002), e cila përmes demokracisë së vet konservatore, politikbëries ndryshe dhe performancave ekonomike arriti që ta riformatojë rrënjësisht një shtet atëbotë pa peshë reale dhe të ngjallë reminishencat e viganit të madh, të prodhojë polemikat dhe dilemat për neo-otomanizmin, të shndërrohet në një aktor global që do e marrë në dorë flamurin e gjithë botës islame. Dhe storja e suksesit ishte permanente, ngritje dhe përparim në çdo aspekt (rritje 9.2 % në 2010 dhe 8.5 % në vitin 2011) 9, me disa sfida shumë serioze si politika e jashtme ndaj luftës në Siri, raportet me Izraelin, çështja e Parkut Gezi dhe e 17 dhjetorit 2013 lidhur me përpjekjet për revolucion nga “shteti alternativ” nën pretekstin e skandaleve korruptive të një pjese të lidershipit të AKP-së.

Partia pushtetare, AKP, qe trembëdhjetë vjet, në të gjitha ciklet zgjedhore dilte fituese e padiskutueshme si në zgjedhjet parlamentare, vendore dhe në ato presidenciale, duke i vënë vulë historisë turke të filleve të mijëvjeçarit të tretë. Figura kryesore e suksesit të kësaj platforme politike ishte Rexhep Tajip Erdogani, një lider ky karizmatik, figura më e madhe e periudhës së republikës pas Ataturkut. Ky njeri, arriti që si feniksi të ngritet nga një i burgosur në një lider botëror që  sot garon me 5 liderët më të mëdhenj të botës. Ndonëse sukseset janë të panumërta, ekonomia e gjashtë evropiane e gjashtëmbëdhjeta botërore, ngritja e cilësisë së jetesës (10.500 $ të ardhura vjetore për kokë banori), globalizimi i produkteve turke deri arkëtimi buxhetor qindramiliardësh, te zeorizimi i borxhit ndaj FMN-së, grand-projektet si aeoroporti më i madh në botë, Kanal Istanbul, prodhimi i tanksit vendor, Erdogan gjithnjë ka qenë i kritikuar si një lider autokrat, si një prijës agresiv, si një “Putin turk”, si një “sulltanist”, madje janë shprehur edhe ide për nevojën për deerdoganizim të Turqisë. Dhe vitin e kaluar shiritin e kapitenërisë politike të AKP-së ia përcolli njërit nga intelektualët më biriliantë të Turqisë, Ahmet Davutogllut, njeriut të zgjedhur si një nga 100 figurat më eminente të mendimit botëror Foreign Policy, 2010). Dhe aty diku ndodhi thyerja: ky i fundit me bagazh profesori, por pa përvojën e gjatë në politikë, nisi një rrugëtim me përgjegjësi të madhe për karrierën e tij dhe shoqërinë turke. Të gjitha sondazhet flisnin se Davutogllu, si eminenca gri, ka marrë përsipër një detyrë të rrezikshme, atë të liderit të padiskutueshëm të AKP-së. Dhe sot si një nga arsyet e teposhtëzës zgjedhore të AKP-së thuhet se është pikërisht Davutogllu, që ka dije por s’e ka karizmën e Erdoganit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare turke, të 7 qershorit, sollën një tabllo interesante, Partia e Drejtësisë dhe Mirëqenies fitoi rreth 40.9 % të votave (258 vende parlamentre), por jo edhe numrin e duhur e deputetëve për të pasur shumicën që i garanton formimin vetjak të qeverisë.  Partia Republikane Popullore (CHP) fitoi 25 %, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) 16.3 % dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP), 13.1 % të votave. Në këto zgjedhje AKP humbi mbi 10 % të votave (krahasuar me zgjedhjet presidenciale 2014), dhe atë nga dy grupe zgjedhësish, grupi më i madh ai kurdëve dhe i dyti, nacionalistët konservatorë të Anadollit të Mesëm, që votat ia kaluan MHP-së.

Kjo është një gjendje tranzicionale, ajo e kalimit nga njëtrajtësia dhe monizmi dominues politik, drejt një gjëje të pashmangshme, koalicionimi, gjë për të cilën AKP s’ka “përvojë”, sepse deri tani e ka pasur komoditetin e solo-politikës, të agorës politike në të cilën kjo parti gjithnjë ka qenë aktor, kurse subjektet tjera, publik dhe zë kritik. Pas kësaj date Turqia është para një gjendjeje shumë enigmatike. Të gjitha mundësitë janë mbi tavolinë. Nacionalistët turq, të cilët kanë një vizion politik shumë ekstrem, të bazuar te teoria e antropologjisë fizike, që njeh vetëm një komb në Turqi, atë turk (ideologji kjo që zanafillën e ka te shprehja ekskluziviste Ataturkut “O sa mirë me qenë turk!”), që është kundër multikulturalizimit dhe politikave të pranimit të shumëkombësisë së Turqisë, të promovuar nga AKP, menjëherë pas kumtimit të rezultateve dolën me qëndrimin se nuk do të koalicionojnë me partinë pushtetare. Koalicionimi më posibil i AKP-së është ai me Partinë Republikane, e cila sado që vazhdimisht e ka goditur në bel AKP-në, ka një taban dhe histori të qeverisjes me shtetin dhe edhe përkundër baticave e zbaticave tërheq me vete një pjesë të mirë të zgjedhësve, përfshirë edhe një numër të madh të shqiptarëve tanë (p.sh. Ahmet Prishtina ka qenë prefekt i Izmirit). Edhe koalicionimi me partinë kurde (HDP) është i mundshëm, por lideri i saj Demirtash ka zgjedhur të qëndrojë në distancë ndaj AKP-së, të cilës ka arritur t’i shkëpusë një përqindje shumë të madh të votave në Juglindje të Turqisë. Koalicionimi i treshes opozitare CHP-MHP-HDP, duket i pamundshëm për shkak të diskursit antikurd të nacionalistëve turq, të cilët shprehin frikën e tyre nga federalizimi i Turqisë dhe gjithnjë janë shprehur kundër “procesit të zgjidhjes”  së çështjes kurde të udhëhequr nga Erdogan dhe ish-partia e tij që nga viti 2013. Meqë në politikë ka interesa dhe jo emocione, edhe koalicionimin me nacionalistët nuk duhet përjashtuar, ngaqë AKP-së një sasi e mirë e votave i kaluan në MHP, pra ka ish-votues të vet në këtë parti. Reperkusion i koalicionimit me këtë parti do të ishte abrogimi i politikave prokurde, gjë që “çështjen kurde” do t’ia linte në monopol HDP-së. Një nga solucionet për të dalë nga kjo krizë janë edhe zgjedhjet e parakohshme (në nëntor), të cilat tërheqin me vete vonim të proceseve dhe lëkundje ekonomike.

Kafeja e hidhur turke e 7 qershorit dha një sinjal të rëndësishëm, atë të zbehjes së politikëbëries erdoganiste, atë të nevojës së AKP-së për hesaposje më të esëllt me vetëveten për t’i detektuar gabimet e bëra viteve të fundit. Në këtë drejtim analistët flasin edhe për problemin e “luftës” me “xhematin” gylenist, i cili me 3-4 % i ka dhënë një grusht të vogël por të rëndë AKP-së në këto zgjedhje. Një gjë shumë pozitive që doli nga këto zgjedhje është mesazhi dhënë pyetjes nëse në Turqi ka demokraci. U konstatua se edhe një parti shumë e fortë mund të ketë tkurrje zgjedhore, se e pranon lojën e demokracisë dhe se nuk ka “trukime pushtetare”. Është për t’i pyetur duartorkitësit anti-sulltanistë lidhur me zgjedhjet 7 qershor se si  ad hoc, për një ditë ndryshoi MR politik i Turqisë, si u demokratizua aq shpejt?

Një pyetje e natyrshme që shtrohet nga ne shqiptarët është kjo: Si mund të ndikojë dobësimi politik i erdoganizmit, gjegjësisht i AKP-së, ndër shqiptarë, duke pasur parasysh “mecenizmin” turk proshqiptar të këtyre trembëdhjetë viteve? Disa dëshmitarë të kohës flasin se zanafilla e platformës politike post-erbakaniane të Erdoganit ka nisur në Maqedoni, gjegjësisht në Tetovë, andaj ky lider ndonëse pa ndonjë kod gjenetik shqiptar, gjithnjë ka pasur konsiderata për shqiptarët, Maqedoninë (nganjëherë tepër proetatiste) dhe Ballkanin. Zbehja e frymës AKP dhe ardhja në pushtet e ndonjë koalicioni tjetër me siguri se do të sillte dhe një trajtim tjetër të çështjes shqiptare nga Turqia si një aktor me peshë për rajonin dhe më gjerë. Afërsia dhe simpatia që shqiptari ordiner e ndjen ndaj Turqisë është evdiente, edhe bisedat e rëndomta të ditëve të fundit janë shënuar me pyetjen naive: “Po pse vallë humbi Erdogani?” Burimet e kësaj simpatie dhe  brenge proturke janë të shumta, ndër to edhe të qenët të rrethuar nga elementi sllav që ka prodhuar vetëm katrahura, lot e vaj në periudhën pas-otomane. Sadoqë një pjesë e mirë e intelektualizmit shqiptar shprehet si antiturk dhe larg-turk, fryma e popullatës shqiptare komunikon shumë pozitivisht me Turqinë – dhe turkun (që e ka në vete edhe elementin shqiptar) –  të cilën e shohin si një “big brother”. Andaj nuk mund të thuhet me nonshallancë: Ç’na hyn në punë turku e zgjedhjet turke? Sot bota është shumë më e ndërndikueshme se dikur, dhe shyqyr që është ashtu, sepse çdo gjë përcillet, shënohet dhe poentohet në çast. Në fund të fundit, çajin e kemi turk, aeroportet turke, serialet turke… Elbasani ka një deputet Ardian Turku. Kemi një këngëtare Fjoralba Turku. Mos harroni se edhe kroatët dhe sllovenët që i simpatizojmë kanë “turqit” e tyre: të parët gjuhëtaren Marija Turk, kurse të dytët, presidentin Danilo Türk.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button