Maqedonia në fazën e verdhë

­ Tërë territori i Republikës së Maqedonisë prej sot do të përfshihet nga temperaturat e larta, të cilat e definojnë fazën e verdhë (alerte). Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) kumtoi se bëhet fjalë për temperatura deri 37 gradë, të cilat janë më të larta për këtë kohë të vitit dhe ka nevojë për kujdes të veçantë për mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe për përshtatje me temperatura të larta.

Për sot pritet të mbajë mot me diell dhe me vranësira mesatare lokale, ndërsa në pjesët perëndimore mundësi për jostabilitet të izoluar, të ndjekur me reshje të shkurta të shiut dhe bubullima. Temperatura e mëngjesit do të lëvizë prej 11 deri 18 gradë, ndërsa ajo e ditës prej 31 deri 37 gradë Celsius. UV indeksi do të jetë 8. Në Shkup do të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë me erë të dobët nga jugperëndimi. Temperatura e mëngjesit do të ulet deri 15 gradë, ndërsa ajo e ditës do të arrijë deri 35 gradë Celsius.

Për shkak të temperaturave të larta nevojitet të respektohen rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, duke shmangur ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell në periudhën prej orës 11 deri në ora 17, konsumim i ushqimit të lehtë dhe duke pirë shumë lëngje. Kujdes i veçantë duhet të kenë më të moshuarit, njerëz të sëmurë kronik, të cilët kanë nevojë të marrin rregullisht terapinë e përshkruar nga mjeku. Rekomandohet larja e tërësishme e frutave dhe perimeve para përdorimit të tyre, përgatitje e mirë termike e ushqimit, ruajtja e ushqimit në frigorifer në + 8 gradë dhe shmangie të konsumit të produkteve që prishen shpejt, krem, majonezë,…

Të martën do të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë, ndërsa të mërkurën pritet jostabilitet i shprehur në orët e pasdites me reshje të mëdha të shiut dhe bubullima. Të enjten do të mbajë mot i ndryshueshëm me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Temperatura do të zvogëlohet për shtatë deri nëntë gradë.

Lajme të ngjashme

Back to top button