Rama: Mallkuar ata që duan të përçajnë Konispolin (Video)

Pas takimit elektoral në Sarandë, kryeministri Edi Rama u ndal sot në Konispol. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal tek mënyra sesi është qeverisur deri më tani niveli vendor, që sipas Ramës ka qenë peng e burrave të dehur.

Ndërsa përshëndeti kandidimin e grave në këtë fushatë, si dhe praninë e një numri gjithnjë e më të madh të tyre në takimet elektorale, Rama tha se do të ketë më shumë mundësi e një hapësirë gjithnjë e më të madhe për to.

“Pushteti vendor deri dje ishte peng i burrave të dehur. Por transformimi do të prekë bashkitë pas 21 qershorit. Politika ishte bërë monopol i burrave, por tashmë gratë kanë më shumë hapësirë dhe do t’u jepet gjithmonë e më shumë mundësi. Ne do bëjmë shtet modern pavarësisht vështirësive dhe këtë e kemi treguar në këto 18 muaj, duke çuar vendin në drejtimin e duhur”, tha Rama.

Kryeministri Rama përcolli mesazhin e harmonisë etnike e fetare në vendin tonë, duke u kërkuar qytetarëve të Konispolit të lënë pas politikat përçarëse.

“Konispoli nuk është arenë përplasjesh politike, etnike e fetare. Qeveritë shkojnë e vijnë, ajo që mbetet është toka juaj dhe respektit ndaj njëri-tjetrit. T’i japim fund politikave të përçarjes primitive e barbare”, tha Rama.

Fjalimi i Ramës:

Konispoli i bekuar nga Zoti nuk mund të bëhet një arenë përçarje fetare, etnike. Së bashku me minoritetet të vihet në Konispol për t’i vajtur me kokë qorrazi kundër kësaj prirjeje historike dhe për t’i rënë me shqelm këtij thesari që ne do ta ruajmë si sytë e ballit. Kush janë këta që predikojnë këtu histori me ortodoksëri e Çamëri? Histori që janë të turpshme. Nuk mund ta kthejnë në një bashkësi njerëzish të përçarë dhe në sherr me njëri-tjetrin. Nuk mund ta lejojmë këtë, i bëj thirrje gjithë banorëve të kësaj zone mos tradhtoni gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj. Nuk ka lidhje me PD, as me ASHE, as me Shuapin, ka lidhje me themelet, ka të bëjë me këtë tokë që ka gjeneruar paqe, harmoni, ku janë martuar, kanë bërë fëmijë, pa parë njëri-tjetrin se nga vijnë.

Nuk mund të bëhet toka kur të hyjë kjo përçarje. T’i vijë turp dhe të mallkuar qofshin gjithë ata që i japin frymë kësaj politike barbare që në Shqipëri nuk mund të mbijë dhe t’i rritet fara kurrën e kurrës. T’i vijë turp të gjithë këtyre qorrave që në vend se të shohin të ardhmen e tyre duan t’i vënë flakën tokës ku rriten fëmijët e tyre. Për ne janë të gjithë motra e vëllezër. Këto janë skandale që meritojnë këtu në Konispol dhe kudo ku mbijnë një përgjigje shumë të rreptë, një votë të bashkuar, tërësisht përtej gjithë flamujve, përtej gjithë programeve, sepse partitë, politikanët, qeveritë shkojnë e vijnë, po është kjo tokë që mbetet. Dhe këtu nuk mund të lejojmë askënd që të vë mina që të vrasë ëndrrat e fëmijëve të kësaj toke, se kush jemi ne e si e kuptojmë ne bashkëjetesën mjafton të shikoni reformën historike territoriale.

Lajme të ngjashme

Back to top button