Steinmeier: S’ka integrim të Serbisë, pa zbatim të marrëveshjeve me Kosovën

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, ka deklaruar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përmirësuar, por ka nënvizuar se marrëveshja e prillit e vitit 2013, mes kryeministrit të atëhershëm serb Ivica Daçiq, dhe atij kosovar Hashim Thaçi, nuk po zbatohet nga pala serbe.

Për çdo vit në pranverë, Parlamenti gjerman gjendet para kësaj pyetjeje dhe dileme: të vazhdojë apo jo mandatin e trupave gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë?

Trupat e Bundeswehrit janë stacionuar në Kosovë para 16 vitesh dhe kanë dhënë kontribut të madh në stabilizimin e situatës pas luftës. Këtë fakt e nënvizoi edhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, javën e kaluar në Bundestag. Steinmeier tha se shumë njerëz mund të pyesin nëse ende ka kuptim të jenë të stacionuar ushtarët gjermanë në Kosovë. Kësaj pyetje ai u përgjigj me një “po” të qartë, sepse falë KFOR-it rajoni ka lënë pas pasigurinë dhe mungesën e stabilitetit.

Duke folur konkretisht për këtë marrëveshjen Kosovë-Serbi, Steinmeier e ka pranuar se ajo ende duhet të zbatohet nga Serbia. Si hapa pozitivë, kryediplomati gjerman ka përmendur strukturat unike të Policisë në veri të vendit dhe pushtetet legjitime komunale. Ai tha se momentalisht mes serbëve dhe kosovarëve po bisedohet për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, por, shtoi se për këtë duhet sqaruar edhe disa gjëra.

Bisedimet intensive po zhvillohen edhe me Serbinë, e cila ka kërkuar hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE. Steinmeier tha se pala gjermane ia ka bërë të qartë Beogradit se pa zbatimin thelbësor të marrëveshjes së prillit 2013, nuk mund të ketë bisedime mes BE-së dhe Serbisë.

Ai ka folur edhe për zhvillimet në Maqedoni. Raportet ndëretnike ai i ka quajtur fragjile dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të fundoset në të kaluarën, nëse përgjegjësit politikë nuk marrin përgjegjësi. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, që të garantojë funksionimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, ndërsa ka thënë se shpreson që së shpejti të rregullohen modalitetet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni.

Sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, Steinmeier përkujtoi se bashkë me ministrin e Jashtëm britanik është përpjekur të zhbllokojë integrimin e këtij vendi në BE. Një gjë e tillë deri më tani është bllokuar nga Republika e serbëve të Bosnjës. Steinmeier tha se sidomos tani rajonit i duhet një vëmendje urgjente. /dialogplus/

Lajme të ngjashme

Back to top button