Në korrik publikohet vlerësimi i BE-së për vizat në Kosovë

Gjatë muajit korrik do të bëhet publik vlerësimi i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave në Kosovë.

Më 5 qershor të këtij viti ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku, i ka dorëzuar përfaqësuesve të BE-së raportin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës mbi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Në javët e ardhshme një komision i BE-së do të vijë në Kosovë për të verifikuar të dhënat e raportit.

Ministri Çollaku ka thënë se institucionet e vendit kanë punuar me përkushtim të madh, dhe presin vlerësim pozitiv, nga ana e Komisionit Europian.

“Pas dorëzimit të raportit ne presim që Komisioni Europian të përgjigjet shpejt, dhe të dërgojë një ekip vlerësues, i cili do të jetë përgjegjës për të verifikuar nëse ne kemi përmbushur kriteret ashtu siç kemi raportuar përmes raportit”, ka thënë Çollaku.

Çollaku është shprehur se është shumë e rëndësishme, e me shumë përgjegjësi si për institucionet e Kosovës, ashtu edhe për qytetarët, që të sigurojnë shtetet anëtare të BE-së se nuk do të abuzojnë me të drejtën e lëvizjes së lirë.

Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ballafaqohen me kufizime të lëvizjes së lirë në shtetet e BE-së.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2014 kanë emigruar mbi 45 mijë qytetarë drejt vendeve të BE-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button