A po blen?

Ende e mbaj mend ditën kur prindërit na veshën mirë na paisën me dy kuti çokolladash dhe na thanë: “Kështu do fitoni paratë, atje jashtë”. Ne si fëmijë nuk kishim kuptuar diçka më shumë përpos asaj për të fituar para. Kapaciteti për të kuptuar ose kundërshtuar shtrihet në nivel të pafajsisë e dobësisë për të ngritur zërin atje jasht e brenda për t’i thënë jo asaj që kishim filluar të bënim unë e pranvera e syve të mi. Kështu nisi ajo ditë me vetëm dy kuti. Morrëm rrugët e çarshisë, rrugët prej kalldërmash morrën në duar fatin e ditës së sotme për të fituar kafshatën e gojës.

Acar, fryma vetëm sa nuk na rrëzonte, dimër i egër që duart na i ngrinte, hundët rridhnin, faqet e skuqura, këmbët qull nga bora e të dridhurat ndalonin në momentin kur kalonim në derën e ndonjë lokali. Aty për herë të parë kishte filluar ajo çka më së shumti urreja, ajo zgjatje e dorës që nga dera.

Me sy shpoja çdo skutë të lokalit dhe njerëzit, kështu u afrova me kutinë në dorë për ti pyetur:”A po blen”? Dhe kur ata vazhdonin bisedën unë i thoja për herë të dytë “ Hajt bre blej’’. Kot , disa as nuk kthenin kokën të shihnin, kurse disa të tjerë nxirrnin dhjetë denarëshin e tyre sa për të mos u ndier keq, në mënyrë që zemrat e tyre të mos thyheshin, ashtu edhe shëronin shpirtin. Disa të tjerë janë tallur me ne, ca na lynin buzët me buzëkuq, ca na pyesnin për vitet, ca qeshnin me rrobat e ca të tjerë na bërtisnin, shanin e çka mos më keq. Kështu tu u end nëpër lokale arrinin me mbledh ca para. Tërë dita na shkonte rrugëve, tashmë kam mësuar çdo skutë e çdo skaj të këtyre rrugëve Shkupjane, tash jam bërë dashnore e kalldërmave, adhuruese e të ftohtit, kam mësuar një gjuhë të re për të kërkuar para, kam bërë progres në këtë biznes.

Ditët më kan ikë kështu , rrugëve bashk me pranverën duke mos ditë se ku e kemi derën. I vetmi qielli me mua bisedonte e mallin për shkollën para syve ia shtjelloja. As shkrim e as lexim nuk dija, mjerë unë , rrugaçe e kalldërmave përjetë kam me mbet. Kohë të vështira më beso, kam shumë mall për shkollën, për librat, lapsat, shkronjat, shokët e shoqet ato ditë të arta ku mësohet shkrim e lexim. Unë di vetëm të të them “A po blen”?

Hajt bre blej’’ … unë nuk di më shumë se këto fjal, unë jam zog i prangosur në çdo lokal të Shkupit, jam zogu i zi i çarshisë, jam dhe mbetem ky fëmijë që për disa para më duhet të flijoj kohën e artë të fëmijërisë. Mua do më takosh çdo ditë, nën strehët e Bit Pazarit, në rrugët ku njerëzit hajnë dhe çapiten, në rrugët ku kënaqësitë dhe të qeshurat vallëzojnë si të çmendura , mua do më takosh aty çdo ditë te dera!

Nga: Shaha Hyseni

Lajme të ngjashme

Back to top button