Nishani: Shqipëria nuk ka plan B përveç integrimit në BE

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka deklaruar se nuk kanë një alternativë tjetër B, por janë tërësisht të fokusuar në përmbushjen e reformave dhe standardeve të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Nishani këto komente i bëri gjatë takimit me homologun e tij gjerman, Joachim Gauck, ku u bisedua për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, reformat që Shqipëria po kryen në kuadrin e procesit të integrimit evropian si edhe për çështje të tjera lidhur me sigurinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, bëhet e ditur nga zyra për informim e presidentit Nishani.

“Shqipëria është shumë e vendosur për të kryer të gjitha reformat e nevojshme që e afrojnë dhe integrojnë vendin në Bashkimin Evropian. Po ashtu, kreu i Shqipërisë lidhur me numrin e madh të azilkërkuesve tha se ka udhëzuar qeverinë për të lehtësuar maksimalisht riatdhesimin dhe riintegrimin e tyre, si dhe vijimin e fushatës sensibilizuese për dekurajimin dhe frenimin e këtij fenomeni shqetësues”, tha Nishani.

Ndërkaq, Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck tha se Gjermania do të vazhdoj të përkrah Shqipërinë dhe se do të vazhdoj bashkëpunimi i të dy shteteve ashtu siç ishte deri më tani.

“Gjermania do të vijojë ta ndihmojë Shqipërinë siç ka bërë deri më sot, deri në përmbushjen e plotë të reformave që e forcojnë më tej shtetin ligjor dhe që e afrojnë vendin tuaj me Bashkimin Evropian”, tha Gauck.

Sipas një komunikate për media të Presidencës së Shqipërisë, Nishani tregoi edhe për reformat në fushën e drejtësisë, reformë kjo e cila konsiderohet si reforma kyçe për forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor të Shqipërisë, luftën ndaj korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani i dhuroi një mirënjohje dhe e falënderoi Presidentin Gauck për mbështetjen e qenësishme që Gjermania dhe populli gjerman i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve për anëtarësimin në NATO.

Lajme të ngjashme

Back to top button