Këshilli Organizativ: Bëhet presion ndaj shqiptarëve që mos të dalin në protestat e sotme

Protesta gjithëshqiptare, e cila do të mbahet sot në Shkup, e që është organizuar nga Këshilli Organizativ i Protestës “Protestoj Shqip”, ndërsa është mbështetur nga rreth 70 subjekte politike, organizata joqeveritare dhe personalitete të larta të jetës publike, tashmë ka filluar të goditet nga strukturat qeveritare, njoftojnë organizatorët.

“Nga aktivistët shqiptarë gjithandej Maqedonisë është bërë e ditur se regjimi i BDI-së po bën trysni në të gjitha format e mundshme për ta parandaluar zërin e revoltës mbarëpopullore, që pritet të jehojë sot në Shkup. Ne kemi informacione se presionet shtrihen jo vetëm te personat që kanë vendosur të vijnë në protestë, por edhe ndaj kompanive transportuese, gjithën kjo duke e keqpërdorë pushtetin policor.

Megjithëkëtë, edhe përkundër presioneve të shumta dhe të vazhdueshme nga struktura të ndryshme, po ua themi që tani se e kanë të humbur betejën për t’i frikësuar qytetarët që ata ta shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj një pushteti që i varfëroi, nënçmoi, burgosi e i ekzekutoi shqiptarët.

Ndërkohë jemi të bindur se sot do të dëshmojmë që jemi një popull i civilizuar, me moral të lartë njerëzor e politik, i cili në mënyre paqësore do ta shprehë qëndrimin se si e duam ne Maqedoninë e re! Ndërsa për çdo pengesë eventuale për protestat e sotme fajtori do ta ketë vetëm një emër: kjo qeveri antishqiptare deri në palcë!”, informojnë organizatorët.

Lajme të ngjashme

Back to top button