Zgjedhjet në Austri, rekord i ekstremit të djathtë

Dy partitë më të mëdha në Austri pritet të drejtojnë vendin në formën e një koalicioni të gjerë edhe në pesë vitet e ardhshme, por surpriza e vërtetë e zgjedhjeve ishte e djathta ekstreme që u ngrit në nivelin rekord prej 22,4% të votimeve.

Ndonëse rezultati i zgjedhjeve të së dielës nuk është ende zyrtar, të dhënat e para tregojnë se ekstremistët e Partisë së Lirisë pritet të kenë një pjesëmarrje tepër të lartë në parlamentin e ardhshëm.

Më shumë se gjashtë milionë austriakë kishin të drejtë vote. Zgjedhjet e përgjithshme bëheshin për 183 vendet e Dhomës së Ulët të Parlamentit, ndërsa pragu elektoral është prej 4%.

Sipas të dhënave të para, të konfirmuara nga Televizioni Shtetëror Austriak, partia e kancelarit Werner Faymann duket se ka siguruar 26,4% të votave, ndërsa rivalët më të mëdhenj të OeVP, 23,8%.

Të dy këto forca, së bashku sigurojnë një shumicë të lehtë prej 50,2%, nga 55,3% që kishin në 2008-n.

Sondazhet e mediave të tjera kanë shfaqur të dhëna të ngjashme.

Koalicioni i gjerë midis dy forcave kryesore, në bazë të këtyre rezultateve duket i sigurt, pasi asnjëri nuk do të ishte i gatshëm të formonte një koalicion të pagjasë me Partinë e Lirisë, e cila kërkon daljen e Austrisë nga BE, nga monedha e përbashkët euro dhe një reformë për të bllokuar tërësisht emigracionin. 

Lajme të ngjashme

Back to top button