Muret janë si dëshmitarë

Kur i shkonim mysafirë, përherë më bënin përshtypje tingujt e banesës së saj. Shtëpitë, përveç aromës tipizuese, kanë tingujt e vet edhe kur ata nuk dëgjohen: diçka si fon, një lloj akustike përherë e pranishme…Sikur muret përthithin bisedat, shamatat, muzikën, qetësinë…dhe mandej e emetojnë jehonën e ngjarjeve dominante: ndjenjën e përkatësisë apo akullin ndër njerëz, gëzimet apo trishtimet, falemnderimet ndaj dhuratave të jetës apo vrapin e pakokë për më shumë e më shumë në atë sensin banal material..Kur hyjmë në hapësirën jetësore të dikujt për shkurt kohë na qartësohen se si rrjedhin aty ditët.

Ndejat te fqinja jonë karakterizoheshin me tingullin e fërkimit njëra me tjetrën të gjilpërave të thurrjes dhe ushtimën e njëtrajtshme të çekanit që vinte nga dhoma tjetër ku djali merrej me drugdhendje dhe shkurt, sa për mirësjellje dilte aty ku rrinim ne. S’fliste ai, por fytyra e tij. Kishte shikimin si të përhumbur të njeriut të kredhur në ëndrrën e vet. Përzihej ngapak në muhabetin tonë por shihej se mendja i rrinte në dhomën-atelje ku nga copat e shkapërderdhura të drurit përvijoheshin vepra të reja.

…I rriti dy djemtë me pensionin e burrit dhe me zhurmën karakteristike të gjilpërave të thurrjes. Kjo zhurmë, si dhe ajo e njëtrajtshmja taak-taak që vinte nga dhoma atelje e djalit i ngjyronin shkuarjet tona te ajo posaçërisht në netët e gjata dimërore në atë banesë të vogël kthyer kah veriu: prej vrimave të padukshme të dritareve hynte brenda i ftohti duke i dridhur xhamat kohë pas kohe.

Televizori te ajo përherë ishte me ton të ulët, më dukej se e kyçte vetëm sa për të lëvizur pamjet dhe sa të për t’u dëgjuar pak zëra që mos ndihej e vetme në dhomë. Rrallë shikonte program, ishte e përkushtuar punëdores kurse kur afroheshin afatet për ti dorëzuar punonte shpejtë dhe pa nervozë. Dhe tregonte muhabete te hareshme, copëza nga jeta e saj, shoqërimet dhe përshtypjet pasi gjërat e vogla kishin domethënie te madhe per të.

…Ajo është fqinje e dashur për të gjithë. Rezaton me energji pozitive, ka qëllime të mira dhe është direkte në komunikim. Të bezdisshme janë mbledhjet e këshillit të hyrjes kur ajo nuk është e pranishme me detektimin e saj satirik të problemeve dhe komentet “drejt në qendër” që mbarojnë me të qeshura në kor.

E rritur në frymë qytetare, ajo nuk bën dallime ndërmjet njerëzve.

Hyrja sonë me kohë ndryshonte strukturën, rigrupim, secili me të vetët, shpërngulje matanë lumit.

Ajo asnjë moment nuk mendonte të largohet.

Ndihej e sigurtë këtu, ndër njerëz që i trajtonte si të vetët, pavarësisht preardhjes.

Ndër ballkonin e saj në përdhesë tubohen fëmijët e hyrjes, shumë fëmijë, rrëmujë e përditshme.

Zhurma e lojës fëmijërore dhe socijalizimit në mahallë këtu është akoma më e fortë se zhurma e tastaturës dhe sustave të ekraneve moderne.

Ngaherë sigurisht bezdiset nga oktavat e larta çdo ditë të sezonës së ngrohtë, mu ndër dritaret e saj.

Por dritaret e reja deri diku e amortizojnë zhurmën nga jashtë.

Ia ka blerë djali, drugdhendësi i dikurshëm, i shpërngulur jashtë.

Ajo më nuk thurr për dizajnerët e modës që i jepnin vetëm thërrime, ndërkohë që i shisnin me çmim të lartë kreacionet ku thurrjet e saj ishin detajet që më shumë bienin në sy.

Tash punon për qejf të vet, pa afate dhe pa trysninë për egzistencë.

Ende shkojmë ta ajo, dhe përherë zhurma e njëjtë e gjilpërave të thurrjes dhe kumbima e njëjtë e të qeshurës së saj, pavarësisht rrethanave, ndonjëherë bile më duket: për inat të rrethanave.

Vërtet, muret e shtëpisë kanë aftësinë e përthithjes së zhurmave: shamatën, heshtjen, bisedimet, planet…dhe përherë dëshmojnë se e qeshura është tingulli më i bukur i çdo shtëpie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button