UNHCR po bënë thirrje për përmirësimin e ligjeve të vendeve të Ballkanit për emigrantët

Numri i refugjatëve dhe imigrantëve që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor për të shkuar në Evropën perëndimore ka shënuar një rritje dramatike. Disa prej tyre marrin azil në vendet e Ballkanit Perendimor, ndërsa të tjerët vazhdojnë rrugën drejt Evropës perëndimore, transmeton Zëri i Amerikës.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, UNHCR, thotë se mes vitit 2012 dhe 2014 numri i njerëzve që kanë kërkuar azil në vendet e Ballkanit Perendimor është rritur nga 5 mijë në 20 mijë. Në vitin 2015 numri i kërkesave për azil vazhdon të rritet. Vetëm në Serbi ka patur 22 mijë kërkesa në 5 muajt e parë të këtij vitit, pra numri i tyre është gjashtëfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Kjo ka krijuar vështirësi për autoritetet në Serbi dhe në vende të tjera të rajonit, të cilat thonë se nuk kanë burime të mjaftueshme dhe infrastrukturën e nevojshme për t’u përballur me rritjen e fluksit të refugjatëve.

Shumica e refugjatëve dhe imigrantëve që hyjnë në Serbi nga Maqedonia synojnë të arrijnë në Evropën perëndimore përmes Hungarisë. Shumica e tyre udhëtojnë nga vendet me numër të madh refugjatësh si Siria, Afganistani, Iraku Eritrea dhe Somalia. Sipas UNHCR-së ata shpesh bëhen objekt i dhunës dhe kërcënimeve nga rrjetet kriminale që merren me trafikimin e tyre.

Refugjatët shpesh rrezikojnë jetën duke kaluar nëpër rrugë të vështira si shinat e trenit dhe rrugë të rrezikshme malore. Në mesin e refugjatëve ka gra, fëmijë dhe të rinj, të cilët ecin për ditë të tëra.

UNHCR po bënë thirrje për përmirësimin e ligjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për mbrotjen e refugjatëve dhe ka kërkuar mbështetje më të madhe për ta nga Bashkimi Evropian, qeveritë e vendeve të rajonit dhe organizatat jo-qeveritare.

Lajme të ngjashme

Back to top button